Shqipëria do të rikthehet në fushë pas më shumë se 2 muajsh pushime që pas mbylljes së aventurës Euro 2024. Kuqezinjtë shohin përpara drejt Nations League ku më 7 dhe 10 shtator përballen me Ukrainën në Çeki dhe Gjeorgjinë në ‘Air Albania’. Të gjithë presim me padurim të përjetojmë sërish ngjyrat dhe emocionet kuqezi.

Më 2 shtator do të nis grumbullimi zyrtar i Kombëtares me lojtarët që do të ambientohen në Tiranë, në ‘Shtëpinë e Futbollit’ ku do të zhvillojnë edhe seancat e para stërvitore. Kur afrohen ditët e Kombëtares, të gjithë bëhen kurioz për emrat që do të përbëjnë listën me 26 lojtarët e ftuar.

Sylvinho do të na shuajë kureshtjen këtë fundjave teksa do të bëhet e ditur edhe lista zyrtare me 26 futbollistët e grumbulluar. Rrezikohen mungesa teksa Armando Broja dhe Arlind Ajeti janë aktualisht të dëmtuar dhe në luftë me kohën për t’u rikuperuar brenda këtyre ditëve. Një tjetër futbollist i dëmtuar është Arbnor Muçolli i cili pëlqehet shumë nga Sylvinho, por s’ka patur mundësinë për të kontribuuar me Kombëtaren që nga ndeshjet e marsit.

Duke parë edhe paraqitjen në Euro 2024, Sylvinho pritet të paraqesë në fushë një Shqipëri më ofensive ku do t’i besohet një rol i rëndësishëm Arbër Hoxhës i cili magjepsi këdo në krahun e majtë të sulmit. Mbetet për t’u parë lista finale për të patur një ide më të qartë për Shqipërinë post-Euro 2024./newsport/