Nuk ka ditë pushimi për Silvinjon! Trajneri i Shqipërisë po vazhdon punën mes analizës së kundërshtarëve të Euro 2024 dhe udhëtimeve në Europë, për të biseduar dhe afruar talentet e rinj te Shqipëria.
Silvinjo është i fiksuar pas sulmuesit 19-vjeçar të Mainzit, Brajan Grudës. Lojtari i cili ka kaluar të gjitha grupmoshat e Gjermanisë dhe është pjesë e U-21 të gjermanëve, mund të jetë në të ardhmen pjesë e Shqipërisë.
Kështu në një intervistë ekskluzive për Koha Shtesë, Simon Simoni, portieri i të rinjëve të Frankfurtit, tregon se nuk ka pasur kontakte me Silvinjon, por se trajneri i Kombëtares ishte prezent në stadium për të parë ndeshjen mes Frankfurtit dhe Mainzit.
Sigurisht që qëllimi i udhëtimit ka qenë mundësia e vetme, Brajan Gruda. Për fatin e keq udhëtimi nuk u përmbush i gjithi me sukses pasi dëmtimi i Grudës i tejkaloi pritshmëritë e gjermanëve dhe lojtari nuk ishte i gatshëm për ndeshjen kundër Frankfurtit.
Por sigurisht që pas përfundimit të takimit, ka pasur një bisedë të trajnerit të Kombëtares me përfaqësuesit apo familjarët e lojtarit. Tani mbetet të shihet se cilat do të jenë zhvillimet e reja nga ky rast. /Sport Ekspres/