“Është një mbrëmje e mrekullueshme, e jetuar në stadiumin tonë, përpara tifozëve tanë, kundër një skuadre shumë të fortë. Duhej të bënim dy ndeshje të mëdha, duke dhënë gjithçka që kishim. Djemtë ishin të jashtëzakonshëm, është një sukses për t’u ndarë me gjithë botën interiste. Vazhdojmë përpara në këtë sezon të gjatë, që po na dhuron shumë emocione”.
Kështu u shpreh në fillim të fjalës së tij, pas barazimit 2-2 në “San Siro”, ndaj bavarezëve, trajneri Simone Inzaghi. Ky barazim, duke llogaritur edhe fitoren 2-1 në çerekfinalen e parë, e dërgoi Interin në gjysmëfinale, ku tashmë e pret Barcelona.
Tani jeni skuadra favorite në Champions?
Në këtë skenë të madhe është edhe më kënaqësi, sepse përtej buxheteve, që nuk zbresin në fushë, Bayerni nuk e uli kurrë intensitetin, por ne iu përgjigjëm goditje për goditje.
Pas golit të pësuar, përmbysët gjithçka për tre minuta. A ka dorë Inzaghi në këtë pjekuri të skuadrës zikaltër?
Kjo është dora e këtyre djemve, që ndihen mirë së bashku. Punojnë dhe sakrifikohen. Kemi gati katër vite së bashku. Ndërtuam një skuadër të shkëlqyer mes vështirësish, sepse fillimisht Zhang e më pas Oaktree ishin shumë të qartë me mua. Duhej të sistemonim disa gjëra më parë, e bëmë, dhe arritëm të krijonim një ekip që na ka dhënë trofe e fitore të rëndësishme. Kjo paraqitje na shpërblen për gjithë punën, bashkë me stafin përpiqemi gjithmonë t’i vendosim djemtë në kushtet më të mira.
Çfarë biseduat me Arnautovic?
Këto ditë kishte marrë një goditje kundër Cagliarit dhe nuk ishte në formën më të mirë. I kërkova nëse ishte i gatshëm dhe më tha po, edhe sonte. Pastaj vendosa për një zëvendësim tjetër. Kjo tregon bashkimin e grupit. Edhe të dëmtuarit që ishin në pankinë e kanë përjetuar njësoj me ne. Duhet t’i shijojmë këto mbrëmje, ‘San Siro’ ishte me të vërtetë emocionues. Urime djemve për atë që dhanë në fushë.