Gjatë karrierës së tij ka shënuar më shumë gola se kushdo tjetër për Vllazninë (madje edhe në Shqipëri). Vioresin Sinani është një prej ish-lojtarëve që ka lënë gjurmë të thella te skuadra shkodrane.

Por, sot po përjeton si të gjithë shkodranët dramën e rënies nga kategoria.

I pikëlluar, por edhe me një apel, Sinani kërkon që të shikojë sa më shpejt këtë klub në duart e privatit si e vetmja mënyrë për të kthyer këtë ekip në elitën e futbollit shqiptar, pikërisht aty ku sipas tij e meriton.

Sinani fajëson mbi të gjitha lojtarët, të cilët sipas tij nuk dhanë atë që pritej në fushë. Ish-sulmuesi rrëfen gjithçka në intervistën e tij për “Panorama Sport”.

“Lojtarët që priteshin të jepnin më shumë, dhanë shumë më pak se çfarë të paktën unë prisja. Ata nuk dhanë asgjë për të shpëtuar këtë skuadër. Mendoj se më shumë se 70 për qind e ekipit nuk tregoi asgjë.

Ata kanë pa diskutim fajin kryesor dhe nuk arritën që të tregojnë asgjë nga ato që ne prisnim”, deklaroi ndër të tjera Sinani në intervistën e tij për gazetën.

Gjithashtu, ish-sulmuesi i bën thirrje Vllaznisë që të privatizojë klubin, pasi vetëm kështu ekipi mund të rikthehet në nivele të larta.

Shumëkush po fajëson Partizanin si shkaktar të rënies së Vllaznisë nga kategoria. Ju si e mendoni?

Vllaznia nuk duhet që ta kishte lënë veten në duart e askujt. Ata nuk duhet që të kishin lënë veten në këmbët e të tjerëve siç edhe e lanë.

Nuk duhet të shikohet askund tjetër faji përveçse te vetja. Ata duhet ta kishin mbajtur Vllazninë në elitë vetëm me këmbët e tyre. Për mua fajin nuk e ka asnjë prej skuadrave të tjera, por vetëm djemtë dhe drejtuesit e skuadrës sonë.