Ishte planifikuar të vinte më 4 janar, por ardhja e trajnerit Rudi Vata është shtyrë për 24 orë dhe kjo vonesë, do të shtyjë edhe nisjen e ekipit të Vllaznisë drejt Ulqinit ku do të zhvillojë fazën përgatitore. Ndërkohë kuqeblutë kanë nisur stërvitjen që më datë 3 janar nën drejtimin e zëvendëstrajnerit Vioresin Sinani dhe trajnerit të përgatitjes atletike Arben Parmeza.
Nga grupi që mbylli vitin 2011, ka rënë në sy mungesa e Vajushit që ka kaluar në Bullgari tek Liteks si dhe portierit Vujadinoviç që ka munguar për arsye shëndetësore apo dhe Ninami që nuk është kthyer ende nga Italia ku ka kaluar festat e fundvitit. Duke folur për nisjen e stërvitjes, zëvendëstrajneri Sinani do të shprehej: “E kemi nisur herët stërvitjen në mënyrë që ekipi të ketë kohën e nevojshme për t’u përgatitur për pjesën e dytë të sezonit. Brenda dy ditësh, do nisemi për në Ulqin dhe besoj se gjërat do shkojnë ashtu siç duhet gjatë kësaj periudhe”.
I pyetur ne lidhje me ato çfare priten nga merkatoja ne ditet ne vazhdim, sulmuesi i njohur që tashmë është pjesë e stafit teknik të Vllaznisë, ka lënë të kuptohet se priten lojtarë cilësorë në ditët e ardhshme duke thënë: “Ka ikur Vajushi por shpresojmë që largimin e tij ka kompesojmë me marrjen e disa lojtarëve cilësorë. Jemi në pritje të tyre dhe tashmë të shohim se çfarë do të ndodhë
Në këtë mënyrë, Vllaznia e ka nisur vitin 2012 herët me stërvitje duke shpresuar të bëjë diçka të mirë në të ardhmen por kuptohet që parashikohet një dimër i ashpër për këtë skuadër. Të paktën për nga mënyra si ka nisur ky vit teksa është larguar edhe sulmuesi i saj kryesor siç ka qenë Vajushi.
www.shkodrasport.com