
Them se është problem brezash. Vërej se si te Shkodra, të cilën e njoh shumë mirë, dhe te Tirana, nuk ka as tek akademitë ndonjë lojtar që të spikasë, pasi në të kundërt të jeni të sigurt se nuk do ta kishim lënë pa e afruar. Është një periudhë ku, jo vetëm te Vllaznia e Tirana, por edhe te skuadra të tjera në kampionatin shqiptar, nuk po dalin më goleadorë të vërtetë. Ata që të sigurojnë të paktën 20 gola në sezon.
Jo si në kohën tuaj të Fortuzit apo edhe të Salihit…
Harrojeni ato vite. Nuk dua që t’i bëj qejfin vetes, por lojtarë si Salihi, Sukaj, Fortuzi që thatë ju e disa të tjerë nuk i gjen në ditët e sotme. Unë nuk them se nuk do t’i kemi, pasi mund të ndodhë që pas dy-tre vitesh të dalë ndonjë talent, por sot për sot nuk ka.
Sakaq, as Tirana dhe as Vllaznia nuk është se kanë punuar shumë edhe në mbajtjen e sulmuesve, kujtoj këtu Vajushin apo Balën…
Nuk i mban dot. Sot është ekonomi tregu dhe çdokush tenton që të shkojë në një skuadër në Evropë, ku të fitojë më shumë parà dhe buxhetet tona nuk i përballojnë dot këta futbollistë. Vëreni me kujdes, sot në Shqipëri vetëm Skënderbeu dhe Flamurtari kanë në organikën e tyre goleadorë të vërtetë, Pejiç dhe Memelli, por këtyre klubeve ua lejon xhepi, ne jo. Këtu e kam fjalën më shumë për Vllazninë, pasi nuk marr përsipër të flas për Tiranën.
Vllaznia sot për sot ka Hysën dhe Rexhën, ndërsa Tirana ka Çotën dhe Abilaliajn. Mendoni se me këta futbollistë mund të bëjnë diferencën?
Këtë gjë nuk di ta them me siguri, por ju them se me gjithë respektin për këta lojtarë, si për dyshen e Vllaznisë dhe për atë të Tiranës, që nuk janë nga ata që të sigurojnë 20 gola në sezon. Unë kështu i gjykoj, pasi vërej cilësitë dhe kualitetet e tyre, ndaj duhet që pjesa tjetër e skuadrës të mbulojë atë që nuk do të bëjnë dot sulmuesit.
Dakord, por pse i keni afruar atëherë?
Sepse skuadra ka nevojë për sulmues dhe ndonjëherë tenton edhe të rrezikosh. Pastaj nuk do të thotë që ata janë të pavlefshëm për ekipin, absolutisht jo. Unë thashë që nuk të sigurojnë 20 gola në sezon si në kohën e Salihit, Sukajt etj.
Mendoni se mund të rregullohet diçka në merkaton e janarit?
E shoh shumë të vështirë. Si Vllaznia dhe Tirana, por edhe ekipet e tjera nuk kanë mundësi jo vetëm ekonomike, por edhe nuk gjejnë dot lojtarë të atij kalibri. Për më tepër golashënuesit e mirë kush i ka i mban fort dhe nuk i lëshon. Shto këtu edhe faktin se në janar pjesa më e madhe janë të gjithë nën kontratë dhe nuk arrin dot që t’i marrësh.
Si e shikoni përballjen e kësaj fundjave, Vllaznia-Tirana?
Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur, për çka jam i sigurt, pasi janë dy skuadra që vijnë nga një moment negativ dhe që të dyja duan që të marrin rezultat. Sakaq, janë eliminuar që të dyja edhe nga kupa, ndaj tani të gjitha energjitë do të jenë për kampionatin. Unë me shpirt uroj dhe besoj se do të fitojë Vllaznia ime.
Admir URUÇI