Pavarësisht përpjekjeve që drejtuesit e Vllaznisë kanë nisur të bëjnë për gjetjen e ndonjë lojtari cilësor që do ta forconte skuadrën në këtë periudhë, një nga emrat më të njohur të historisë së këtij klubi, pikërisht Vioresin Sinani, nuk pret ndonjë gjë të madhe nga merkatoja dhe prandaj në një prononcim për “SHKODRA SPORT” shprehet se ecuria e kuqebluve në kampionat nuk ka për të patur ndonjë rritje.”Merkatoja e janarit nuk besoj se do të sjellë ndonjë suprizë për Vllazninë.
Lojtarët e mirë nuk i lëshojnë kollaj ekipet me të cilët janë nën kontratë. Skuadra ka nevojë për ndonjë blerje cilësore sepse për lojtarë mesatarë nuk ka nevojë. Nuk mendoj se Vllaznia ka për të patur ndonjë ecuri shumë të mirë në gjysmën e dytë të sezonit. Ajo thjesht do të mundohet për të qëndruar në mesin e tabelës së renditjes”- ka thënë ai. Por, për golashënuesin më të mirë të historisë së këtij klubi, krejt ndryshe është situata në Kupën e Shqipërisë, ku sipas tij, Vllaznia duhet të pretendojë deri në fund prandaj shton: “Shorti në Kupë ka qenë i përshtatshëm dhe prandaj besoj se klubi ka për t’iu përkushtuar maksimalisht këtij kompeticioni, të paktën për të shkuar deri në finale. Nuk do jetë e lehtë megjithatë shanset janë për ta bërë një gjë të tillë”. Sinani është anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër dhe sa herë që ka mbledhje, ngre zërin për të ardhmen e Vllaznisë. Po ashtu, edhe për privatizimin e saj. Jo më kot, e përmend edhe në këtë prononcim të tij kur shprehet kështu në lidhje me këtë çështje: “Nuk e them vetëm unë por e thonë të gjithë. Ndryshe është ecuria me një privat në krye të klubit dhe ndryshe me Bashkinë, pavarësisht se kjo e fundit Privati i ka mundësitë financiare dhe çdo gjë tjetër për të patur një ecuri ndryshe të skuadrës. E ka treguar përvoja edhe me Bashkitë e tjera se nuk mund ta mbajnë futbollin. Prandaj shpresoj të gjendet sa më shpejt një zgjidhje dhe Vllaznia të jetë aty ku i takon në futbollin shqiptar”.
© shkodrasport.com