Thonë se numrat nëntë në futbollin modern janë specie në zhdukje, por ata që e bëjnë këtë rol në fushën e lojës ndihen krenarë dhe kanë peshë të madhe mbi shpatullat e tyre.

Ashtu si Sindri Guri, i cili ndryshe nga sulmuesit klasikë, përveç instinktit “vrasës” përpara portës, ka edhe klas kur ka topin në këmbë.

Ka shënuar 15 gola në Kategorinë Superiore dhe është golashënuesi i kampionatit. Me ata 3 ndaj Partizanit arriti të “kurorëzonte” një sezon të shkëlqyer. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Guri rrëfen sekretet e tij.

Ëndrra juaj që akoma se keni realizuar?

Njeriun ëndrrat e mbajnë dhe unë kam një ëndërr në këto momente, që të përfaqësoj Kombëtaren shqiptare.

A ka ndonjë gjë që ju bezdis apo ju shqetëson në Shqipëri, në sport apo jashtë tij, dhe do të donit të ndryshonte?

Asgjë, jam shumë komod si në sport, po ashtu dhe në jetën e përditshme. Mundohem të bëj një jetë sa më të rregullt me familjen dhe shoqërinë.

Natyrisht që si shqiptar kërkoj që vendi të ishte sa më i zhvilluar dhe i civilizuar, sidomos infrastruktura në sport do doja që të ishte si në shtetet europiane, që çdo fëmijë të kishte sa më shumë mundësi të bënte sport dhe të kishte sa më shumë terrene sportive.

Kush është njeriu që ju ka futur në sport dhe ju i detyroheni?

Babai im ishte iniciatori që unë të nisja futbollin, e si çdo baba tjetër në Shkodër, mendimi i parë për fëmijën e tij është të behet futbollist.

Babai im nuk jeton më dhe unë po mundohem ta bëj krenar, çdo gjë që do arrij, i dedikohet babait tim të ndjerë. Krenar për ty, babai im, që më ndjek nga lart!

Kush ka qenë trajneri juaj i parë dhe çfarë ju ka thënë, a ka besuar te ju?

Trajneri im i parë ka qenë profesor Taip Piraniqi, për të cilin kam një respekt të veçantë.

Profesori më thoshte gjithmonë se ke cilësi të luash në ekipe jashtë Shqipërisë, ka besuar gjithmonë dhe vazhdon e beson akoma në cilësitë e mia. Jam munduar që si nxënës i tij t’ia shpërblej besimin.