Sindri Guri ka pranuar se përshtatja me nivelin e futbolli në Belgjikë ka qenë shumë më e vështirë se sa kishte parashikuar ai në momentin kur vendosi të hidhte firmën në kontratën me Ostende. Sulmuesi shkoi në Belgjikë si një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit shqiptar, por deri tani, me fanellën e Ostende, ka shënuar vetëm dy herë në portat kundërshtare në ndeshje zyrtare.
“Diferenca në nivel mes kampionatit shqiptar dhe atij belg ishte shumë më e madhe se sa e prisja”, pranoi Guri në një intervistë për “HLN”. “Megjithatë, në muajt e fundit unë jam bërë një futbollist më i mirë dhe tani gjërat duket se po shkojnë në drejtimin e duhur”, tha lojtari i cili pak ditë më parë shënoi golin e tij të dytë në kampionat në një ndeshje ku arriti edhe të fitonte penallti.
“Unë jam i lumtur që më në fund po arrij të ndihmoj skuadrën. Isha mësuar të shënoja gol në çdo ndeshje, por këtu nuk ia dola të shënoja për një kohë të gjatë. Por jam i bindur se do të jetë përsëri e mundur nëse unë arrij të gjej besimin që më nevojitet”, theksoi futbollisti shqiptar. /vipsport/