Një gol nga ajri e një gol pas një driblimi fantastik në zonë. Sindrit Guri ka vijuar formën e mirë edhe në ndeshjen e tij të parë zyrtare për këtë sezon (mungoi në të parën me Ostenden në kampionat për shkak dëmtimi) pas golave radhazi gjatë ndeshjeve miqësore.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, futbollisti i Kombëtares tregon sekretin e formës së mirë, ndryshimet që ka pësuar ekipi në favor të tij me trajnerin e ri, besimin e këtij të fundit. Teksa vlerëson Hamdi Salihin si një ikonë në Kombëtare, i pyetur për trajnerin Reja dhe ndonjë kontakt nga ai, sulmuesi tregon se nuk ka marrë asnjë sinjal. Guri rrëfen jetesën në Belgjikë dhe festimin special te golat.
Guri, e nisët sezonin zyrtarisht me dopietë, çfarë do të thotë për ju?
Për mua ishte fillimi më i mirë i mundshëm dhe tani shpresoj që ta demonstroj në çdo ndeshje këtë formë të mirë. Dua të kem këtë ritëm gjatë gjithë kohës, sepse kjo është pjesa më e rëndësishme, të kem vazhdimësi.
Çfarë ka ndryshuar këtë sezon te ju, disa gola në miqësore dhe dopietë në startin zyrtar? Cili është sekreti i formës?
Mendoj se trajneri i ri ka sjellë edhe një mentalitet të ri në ekip. Ky mund të jetë edhe një lloj sekreti i kësaj forme. Por, edhe fakti që ky është viti i dytë dhe jam ambientuar plotësisht me kampionatin dhe me jetesën në Belgjikë.
Jeni penduar që zgjodhët Belgjikën dhe jo një kampionat edhe më të lehtë?
Nuk jam penduar fare dhe gjithmonë kam menduar që kam bërë zgjedhjen e duhur. Kam dashur gjithmonë të provoj veten në një kampionat të fortë dhe deri tani po ia dal më së miri. Shpresoj të vazhdoj kështu, sepse nuk jam i kënaqur me veten. Unë kërkoj që të arrij edhe më shumë, pse jo edhe një kampionat akoma edhe më të fortë.
Cilin synoni?
Të mbetemi te ky për këtë sezon, në të ardhmen dëshira të tjera.
Çfarë ju thanë pas ndeshjes, trajneri, shokët, drejtuesit?
Shumë gjëra dhe asgjë (qesh..), sepse të gjithë më përgëzuan për golat. Ama, trajneri ishte shumë i lumtur, pasi ai është njeriu që ka besim shumë të madh tek aftësitë e mia. Në të njëjtën kohë, edhe unë isha shumë i lumtur që arrita të shpërblej besimin e tij me golat që i shërbyen ekipit për fitoren. Shpresoj shumë të vazhdoj kështu.
Në raste të tilla, pret t’ju qerasin apo do paguani ju për shokët e ekipit?
Këtu është si traditë që në raste të tilla më takon mua të paguaj. Megjithatë, është nga ato raste që e bën me kënaqësi maksimale diçka të tillë (qesh…).
Festa te golat e ndeshjes, ishte një dedikim i veçantë?
Normalisht që po, festa me duart te barku që shënjojnë edhe shtatzëninë e një femre. E bëra atë gjest sepse unë dhe bashkëshortja presim një fëmijë tjetër. Dedikimi nuk kishte si të mos shkonte për gruan time dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë.
Pas miqësoreve, nisja e kampionatit me gola. Kjo vazhdimësi e juaja a është një sinjal edhe për Rejan dhe rikthimin në Kombëtare?
Shpresoj që po, sepse normalisht është kënaqësi dhe detyrim i madh të jesh pjesë dhe të kontribuosh për Kombëtaren.
Keni komunikuar me të apo me ndonjë prej stafit të Rejas së fundmi?
Të them të drejtën, nuk kam pasur fare kontakt me askënd nga Kombëtarja.
Si është jetesa në Belgjikë?
Në fillim ishte e vështirë për mua sepse është tërësisht një mentalitet tjetër, por tani jam përshtatur dhe jam shumë i lumtur këtu. Më pëlqen shumë Belgjika
Çfarë objektivi i keni vendosur vetes këtë sezon?
Të them të drejtën, një objektiv i kam vendosur dhe është edhe një sfidë me veten time. Dua që të arrij kuotën e 15 golave dhe shpresoj ta arrij.
Pas një sezoni jo shume të mirë si ai i vjetshmi, si mendoni t’i rivalizoni Sadikun, Cikalleshin dhe Balajn për Kombëtaren, duke qenë se jeni konsideruar shpesh si një Salihi i dytë te Shqipëria?
Unë shpresoj që ne sulmuesit të shënojmë sa më shumë, në mënyrë që trajneri i Kombëtares të mos e ketë problemin e mosshënimit të golave nga lojtarët e këtij reparti. Pastaj, pjesa tjetër është një zgjedhje e trajnerit dhe stafit të tij se kush do të jetë pjesë e Kombëtares. Sa i përket Salihit, ai është një ikonë në Kombëtare dhe është fat i madh për sulmuesit që të jetë pjesë e stafit.