Transferimi i Sindrit Gurit te skuadra e Ostende në Belgjikë dukej si hapi i madh në karrierë për sulmuesin kuqezi dhe në fillim të sezonit, gjërat dukeshin shumë mirë për bomberin shkodran.

Në startin e sezonit të ri futbollistik, Guri tregoi raporte të mria me golin dhe ishte një titullar fiks në formacionin e Ostendes, por me kalimin e javëve forma e tij ra dhe vendi në formacion nuk ishte i sigurt.

Pas disa ndeshjeve në kampionat që i pa nga stoli, Gurit iu dha mundësia në ndeshjen e kupës së Belgjikës, kundër Hogstraten, ku iu deshën vetëm 9 minuta për të shënuar.

Kjo ndeshje dhe ky gol dukej si kthesa e sezonit për sulmuesin shqiptar, por gjërat sërish nuk shkuan mirë për të. Edhe në takimin e sotëm kundër Klub Bryzh, Guri ishte në stol dhe u aktivizua vetëm në 12 minutat e fundit të sfidës, ku fatet e takimit ishin vendosur.

Deri më tani, Guri ka luajtur 550 minuta në kampionatin belg, ku u luajt java e 13-të. 25-vjeçari ka shënuar vetëm një gol në kampionat dhe nuk është zgjedhja e parë e trajnerit të Ostende./vipsport/