Një ndër lojtarët më të dalluar që arriti të shpërthente në sezonin e kaluar në Shqipëri, ishte sulmuesi shkodran Sindrit Guri.
Me paraqitjet e tij te Kukësi, ai arriti të binte në radarët e shumë skuadrave, madje dhe të Kombëtares.
Me përfundimin e sezonit, Guri u largua drejt Belgjikës, ku firmosi me Ostenden dhe në 2 takime miqësore, ai ka shënuar 6 gola dhe 2 asiste.
Në një prononcim për “VIP Sport”, Guri ka folur në lidhje me aventurën e tij në Belgjikë dhe ndryshimet që ka nga Shqipëria.
“Ambientimi? Në Belgjikë më pritën shumë mirë që në fillim he falë mbështetjes që mora, kam arritur të ambientohem shumë shpejt. Nuk firmosa te Ostende me idenë që dola në Europë dhe tashmë jam në majë.
Firma te Ostende do të thotë për mua motivim për të punuar më shumë, për të qenë me këmbë në tokë dhe për të nxjerrë maksimumin.
Kam shumë besim te vetja dhe them sedo të arrij shumë lart me shumë punë. Kisha oferta edhe nga klube të tjera elitare, por Ostende më duket skuadra ku mund të tregoj veten time më mirë.
Golat? Për mua nuk është e rëndësishme nëse një ndeshje është miqësore, zyrtare apo stërvitje. Jam sulmues dhe si i tillë duhet të shënoj në çdo rast që më jepet para portës.
Është e rëndësishme që të ndihmoj ekipin pasi në atë mënyrë, ndihmoj edhe veten time njëkohësisht.
Ndryshimet? Në Shqipëri luhet shumë fort, por nuk ka lojë të shpejtë. Këtu vrapohet shumë, luhet shpejtë dhe ka një futboll më të bukur.
Si nivel nuk ka shumë ndryshim por është mënyra e lojës ajo që bën diferencën. Këtu në Belgjikë, nuk mungon asgjë dhe kjo të bën të ndihesh realisht një futbollit”, u shpreh Guri. /vipsport/