Skënderbeu do të luajë ndeshjen e fundit të kampionatit shqiptar ndaj Vllaznisë, në një takim që pritet me shumë interes, duke parë gjendjen e ekipit shkodran.
Ekipi i Vllaznisë është i dënuar për të fituar në Korçë, nëse kërkon të shpresoj një mrekulli në këtë sezon, që mund ta mbajë në elitën e futbollit shqiptar.
Në konferencën për shtyp, trajneri i Skënderbeut, Daja është shprehur se ekipi i tij nuk do të fali asgjë ndaj kundërshtarit, pasi nuk e ka një aleat në kampionatin shqiptar.
“Nuk do të luajmë as për Vllazninë dhe as për ndonjë ekip tjetër, sepse ne kemi politikat tona.
Nëse do e kishim mbyllur kampionatin ndaj Kukësit, atëherë në të gjitha ndeshjet e tjera do i besonim lojtarëve të rinj. Nuk mund t’i mësojmë lojtarët 19-vjeçarë me tolerime.
Ne kemi për objektiv fitimin e Kupës së Shqipërisë. Ekziston frika se futbollistët titullarë që janë lënë pushim në këto ndeshje, të mos jenë në formën e duhur ndaj Laçit.
Prandaj kemi zgjedhur që të mos ia bëjmë të qartë futbollistëve, se cili prej tyre do të jetë nga minuta e parë ndaj Vllaznisë, që të japin sa më shumë nga vetja e tyre në stërvitje.
Skënderbeu ka ndjekur vetëm politikat e tij dhe nëse ka ndonjë fakt që Skënderbeu i ka toleruar ndonjë ekipi tjetër, atëherë unë nuk do të vazhdoj të merrem me drejtimin e ndonjë ekipi futbolli.
Nuk na ka bërë nder dhe nuk kemi ndihmuar asnjë ekip, përveçse kemi përdorur ato politikat që i shërbejnë vetëm klubit të Skënderbeut”, ka thënë Daja. /vipsport/