Tani që sezoni është në mbyllje, mund ta themi pa dyshime se Xhuliano Skuka është një nga “trofetë” e Partizanit në këtë sezon.
23-vjeçari e nisi sezonin me Dinamon, por pasi u bë “dem” pësoi një transformim të madh dhe u shndërrua në “fenomenin” e Superiores.
Dibrani me pasaportë franceze ka kontratë edhe për dy vite me Partizanin, por paraqitjet e tij spektakolare me të kuqtë në gjysmën e dytë të sezonit, nuk ia bëjnë të sigurt qëndrimin në kryeqytet.
“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se për sulmuesin ka interes konkret nga një prej tri klubeve kryesuese të kampionatit hungarez.Trajneri i këtij ekipi, emri i të cilit mbetet konfidencial për momentin, e ka pëlqyer Skukën dhe ka sinjalizuar klubin të punojë për ta afruar.
PLANI I PARTIZANIT – Klubi i kuq kërkon të ndërtojë një ekip konkurrues për titullin kampion dhe ka në plan ta mbajë Skukën edhe për sezonin e ardhshëm në gjirin e ekipit.
Gjithsesi, nëse diçka nuk bëhet me para, bëhet me shumë para dhe drejtuesit e “demave” nuk pritet të refuzojnë në rast se vjen një ofertë e mirë, që do të konsistonte me rreth 300 mijë euro.
Mbetet për t’u parë përgjigjja e klubit hungarez në lidhje me pretendimet e Partizanit, që zakonisht është treguar mjaft këmbëngulës në negociata.
Gjithsesi, Hungaria nuk është pista e vetme për Skukën, pasi një klub i ligës elitare në Belgjikë dhe një tjetër në Ligën e Dytë në Francë kanë shfaqur interes, por pa avancuar në negociata konkrete.
SHIFRAT DHE “BONUSI” – Skuka ka luajtur në 20 ndeshje si titullar me Partizanin në këtë sezon dhe ka shënuar 9 gola, si asnjë tjetër te të kuqtë gjatë kësaj periudhe.
Duhet të themi se Skuka, hapat e parë si futbollist i ka hedhur në Francë, nga ku është kthyer në moshën 18-vjeçare, për t’u bashkuar me Korabin.
Përveç asaj shqiptare, ai ka edhe pasaportë franceze, çka është një avantazh, pasi nuk konsiderohet si ekstrakomunitar në ligat e vendeve të Bashkimit Europian.