Kategoria Superiore do të ngrejë siparin pas 10 ditësh me javën e parë dhe klubet që po vijojnë përgatitjet për këtë sezon të ri. Një problematikë e viteve të fundit në vendin tonë ka qenë edhe pjesa e stadiumeve, se ku klubet shqiptare do t’i luajnë ndeshjet e tyre.
Aktualisht situata është e tillë: Tirana dhe Dinamo janë dy ekipet që duhet të shtegtojnë. Në rastin e së parës, bardheblutë duhet të sistemohen në “Air Albania”, por Kombëtarja si edhe problemet me dëmet e shkaktuara në stadium sezonet e kaluara, nuk i garanton atyre një akomodim të rehatshëm, kujtojmë këtu që “Selman Stërmasi” ka dalë jashtë përdorimit për shkak të gjendjes së keqe të fushës.
Ndërkohë, edhe Dinamo nuk ka një stadium të vetin, siç mësohet do t’i luajë ndeshjet në “Elbasan Arena”. Ndërkaq, pjesa tjetër e skuadrave është në rregull, me Partizanin që i luan ndeshjet në kompleksin e vet në Tiranë, Teuta në “Niko Dovana” dhe Vllaznia në “Loro Boriçi”. Në këtë drejtim edhe Egnatia është e kompletuar, pasi i pret kundërshtarët në “Arena Egnatia” dhe e njëjta situatë edhe për Laçin dhe Skënderbeun që luajnë në shtëpinë e tyre.
Gjithashtu, edhe dy ekipet e ngjitur këtë sezon në Superiore nuk kanë probleme në këtë drejtim, Bylisi i luan ndeshjet në “Adush Muçaj” të Ballshit dhe Af Elbasani do të luajë në qytetin e tij.