Bylisi ndodhet në një situatë mjaft të ndërlikuar pas katër ndeshjeve të fundit, ku nuk kanë arritur të fitojnë, kjo jo vetëm për formën relativisht të dobët të ballshiotëve, por edhe të gabimeve të arbitrave. Peposhi dhe trajneri Dovedan u prononcuan pas ndeshjes dhe dhanë deklarata të forta.
Trajneri u shpreh: ”Gjyqtarët po na dëmtojnë shumë dhe pas kthimit do të kem një takim me presidentin për të diskutuar rreth të ardhmes sime sepse e kam shumë të vështirë të punoj në këtë situatë”.
Pas kësaj deklarate u hodhën shumë dyshime rreth të ardhmes së stolit të Bylisit, por siç mëson VipSport, në pankinën e balliotëve nuk do të ketë asnjë lëvizje.
Pas një bisede mes presidentit Kapllanaj dhe Dovedan është arritur në përfundimin se tekniku do vazhdojë të qëndrojë në krye të stolit të Bylisit.
Ka qenë ndërhyrja e presidentit dhe stafit drejtues të Bylisit, që kanë bindur trajnerin të qëndrojë me argumentin se kjo situatë nuk është për faj të tij. Dovedan do të vazhdojë normalisht punën dhe do të jetë në krye të ekipit që në stërvitjen e radhës. /vipsport/