Bylisi ka zbritur menjëherë në fushën e stërvitjes dhe ka nisur përgatitjet për sfidën e radhës me Tiranën, që do ta luajë të dielën në orën 16:00 në Ballsh. Mallakastriotët humbën ndaj Skënderbeut, duke shtuar rrezikun për mbijetesë, ndërkohë që në prag të takimit me bardheblutë, problemet nuk janë të vogla.

Trajneri Dovedan rrezikon që të ketë mungesa, pasi ende mbrojtësi Stojanoviç ka probleme shëndetësore, ashtu si edhe mesfushori Kreshnik Nebihu. Seanca e djeshme ka nisur me analizë si zakonisht, ndërsa ndaj Tiranës përtej vështirësisë që ka si ndeshje, skuadrës i duhen patjetër pikë.

Në Ballsh kanë nisur që të bëjnë llogari për gjashtë ndeshjet e mbetura, ku nga skuadrat e zonës së mbijetesës do të përballen vetëm me Kukësin në transfertë, por edhe me Kastriotin jashtë fushës. Krahas gjykimit që ka dënuar jo pak ballshiotët këtë sezon, ajo që bën përshtypje është mosruajtja e rezultatit në shumë ndeshje, si në shtëpi, ashtu edhe në transfertë.

Tashmë synimi i Bylisit është që të grumbullojë sa më shumë pikë dhe të mbajë në diferencë sigurie skuadrën korçare apo dhe rivalët e tjerë në betejën e mbijetesës. Klubi kërkon që të shmangë zonën “play out”, por gara bëhet edhe më e vështirë tashmë që ekipi humbi në Korçë, duke futur në garë Skënderbeun.

Ndaj Tiranës një lajm i mirë është fakti se nuk ka asnjë lojtar me kartonë. Këtë sezon ballshiotët kanë marrë dy herë pikë me bardheblutë, por këtë herë më shumë se kurrë i kanë të domosdoshme, për vetë situatën ku ndodhen.