Pavarësisht ndonjë deklarate paraprake të ndonjërit prej drejtuesve të ekipit shkodran, ka patur mëdyshje nëse Vllaznia do të ishte apo jo aktive në merkaton e janarit. Por nga sot duket se këto dilema nuk ekzistojnë më. Ka qenë trajneri Ernest Gjoka ai që në konferencën për shtyp ka dhënë lajmin e marrjes së garancisë nga kryebashkiakja për të vazhduar punën për përforcimin e skuadrës në ato pika ku ajo ka nevojë. “Kryetarja e Bashkisë që është edhe presidentja e klubit, më ka dhënë garancinë për të vazhduar punë për përforcimin e skuadrës me lojtarët e duhur.

Unë i besoj fjalëve të saj dhe prandaj mbes me shpresën se do të gjejmë lojtarët e duhur që do ta ndryshojnë situatën në skuadër. Sepse nëse nuk ndodh kjo, atëherë e kam thënë edhe më përpara, unë nuk kam pse të qëndroj më këtu. Mund të ketë trajnerë shkodranë që mendojnë se mund të bëjnë gjëra më të mira me këtë kontigjent që është dhe mund t’u besohet atyre drejtimi i ekipit”.
© shkodrasport.com