Nuk ka kaluar më shumë se një vit e gjysëm që nga ri-shtrimi i pistës së tartanit në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, por sërish janë shfaqur disa probleme serioze. Askush nuk e ka pritur që në një kohë kaq të shkurtër pista e tartanit në stadiumin e Shkodrës të kthehet në një shqetësim, teksa kujtojmë këtu se ajo është ri-shtruar edhe dy herë të tjera.

Tashmë prej disa javësh ose më tepër, ndryshimi i temperaturave brenda një kohe të shkurtër, por jo vetëm, ka bërë që pista e tartanit të bymehet. Pothuajse në gjithë gjatësinë e korsisë fundore përballë pankinave në stadium, pista e tartanit është ngritur sipër duke marrë ajër.

Kjo ka ndodhur edhe si shkak i temperaturave që ndryshojnë, duke sjellë në këtë mënyrë dëmtimin e pistës, por edhe për shkak të punimeve të kryera jo siç duhet. Burime bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se, kur është vendosur shtresa e fundit e pistës së tartanit, nuk është ngjitur sipas parametrave të duhur.

Kjo ka bërë që pa u mbushur dy vite nga ri-shtrimi i pistës të nisin sërish gradualisht problemet. Tashmë, njëra prej korsive është e ngritur në shumë pjesë të ndryshme. Në vazhdimësi pritet që edhe në korsitë e tjera të ndodhë e njëjta gjë në pistën e tartanit në stadiumin e Shkodrës, “Loro Boriçi”.

Dëmtimi që ka pësuar ajo pistë sjell probleme për ekipet e atletikës së Vllaznisë, të cilët stërviten çdo ditë aty. Fillimisht e mirëpritën atë pistë të munguar prej shumë vitesh, por kjo që ka ndodhur shpesh herë i krijon shqetësime në seancat stërvitore.

Poashtu, përveç kësaj duke parë pistën e ngritur në ajër, tashmë nuk mund të zhvillohen as gara të ndryshme, siç mund të jenë parashikuar në vazhdimësi. Ndoshta, sipas burimeve pritet që të gjendet një zgjidhje lidhur me dëmtimet në pistën e tartanit. Ndërkohë që, kujtojmë këtu se pista e tartanit në stadiumin “Loro Boriçi” është ri-shtruar edhe dy herë të tjera.

Dy janë mundësitë ose të bëhen disa prerje për riparimin e saj të pjesshëm aty ku është dëmtuar ose shtresa e fundit të hiqet për t’u rivendsour edhe njëherë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë e gjithë ajo pistë rrezikon të shkojë dëm krejtësisht.
Maringlen ZHIVANI