Futbolli argjentinas është tronditur nga një skandal i rëndë korrupsioni, pasi presidenti i klubit San Lorenzo, Marcelo Moretti, është filmuar duke marrë 25 mijë dollarë ryshfet nga nëna e një futbollisti të ri për të nënshkruar kontratën e parë profesioniste të djalit të saj me klubin.
Skandali u zbulua nga kanali televiziv argjentinas “El Nueve” (Canal 9), i cili publikoi pamje dhe audio të një kamere të fshehtë, ku Moretti shihet duke marrë një shumë të konsiderueshme parash dhe duke i futur në xhepin e xhaketës.
Në video, presidenti dëgjohet duke i thënë gruas: “Fol sikur të ishte punë”, ndërsa biseda përqendrohet rreth shumës që duhet paguar për të siguruar kontratën e lojtarit. Ai ishte i qartë për kërkesën e tij: “25,000 ose 30,000 dollarë”, dhe kur nëna sugjeroi që pagesa të bëhej në dy këste, ai u përgjigj prerazi: “Sa më shpejt, aq më mirë”.
Pamjet tronditëse kanë shkaktuar reagime të ashpra në media dhe rrjete sociale, ndërkohë që autoritetet argjentinase pritet të nisin hetime penale për korrupsion dhe abuzim me detyrën.
Klubi San Lorenzo ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për ngjarjen, por presioni ndaj drejtuesve për të marrë masa ndaj Morettit është në rritje.
Ky incident ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si funksionon futbolli i të rinjve në Argjentinë dhe për nivelin e korrupsionit në klubet elitare të vendit.