Një skandal i vërtetë ka ndodhur në ndeshjet e Ligës së Kampioneve të femrave. PAOK i Selanikut ka aktivizuar në dy ndeshjet e para në grup një lojtare të pafederuar. Për rrjedhojë, drejtuesit e ekipit shkodran kanë bërë reklamimin e duhur dhe presin vendimin e Komisionit të Disiplinës së UEFA-s dhe me shumë të ngjarë do të ketë një dënim të rëndë për ekipin grek.
Historia është shumë e thjeshtë. Futbollisja me numrin 3 e PAOK, Eleni Giannou ka qenë në listën e federimit të tij për ndeshjet e Ligës së Kampioneve të këtij sezoni. Por vetëm pak ditë para nisjes për në Bosnjë ku do të luante ndeshjet zyrtare, ajo është sëmurë dhe në pamundësi për ta rikuperuar, grekët kanë menduar një “hile”. Me pasaportën e saj kanë marrë një futbolliste tjetër, pikërisht Chrysa Tsakiri, me pamje të jashtme thuajse të ngjashme. Duke menduar se askush nuk do ta kuptonte një gjë të tillë, stafi teknik i PAOK e ka aktivizuar Tsakirin në ndeshjen e parë ndaj ekipit Bettembourg për 90 minuta në fushën e lojës teksa ajo ka luajtur me emrin Eleni Giannou. Drejtuesit e ekipit luksemburgas kanë kuptuar diçka megjithatë nuk janë ndier. Sinjalet kanë shkuar në kampin shkodran që përpara ndeshjes së tyre me kampionët e Greqisë. Megjithatë ata nuk janë dëgjuar, ndonëse kanë vënë në dijeni përfaqësuesit e UEFA-s. Stafi i PAOK-ut mesa duket e ka kuptuar se rivalët e tyre kanë kuptuar diçka dhe për këtë arsye, nuk e kanë aktivizuar lojtaren në fjalë por e kanë lënë në stolin e rezervave. Por gjithnjë me emrin Eleni Giannou, siç mund ta shikoni edhe në foton e protokollit të ndeshjes të publikuar nga UEFA. Drejtuesit e Vllaznisë që para ndeshjes kanë sinjalizuar të deleguarin e institucionit të futbollit europian dhe ai i është drejtuar pankinës së ekipit grek por pjestarët e tij i kanë thënë se lojtarja në fjalë është e sëmurë në hotel (ndonëse ishte e shkruar në protokoll si zëvendësuese). Ndërkohë me të përfunduar ndeshja (që u fitua nga grekët 1-0 me gol të shënuar në ’92 me 11-metërsh), presidenti i ekipit të Vllaznisë Lazer Matija ka bërë reklamimin përkatës. “Na kishin sinjalizuar për gjithçka dhe ne u vumë në lëvizje. Njoftuam të deleguarin e UEFA-s i cili shkoi tek pankina e PAOK për t’i kërkuar lojtares pasaportën por drejtuesit e ekipit e fshehën atë duke e futur në dhomat e zhveshjes dhe duke thënë se është e sëmurë në hotel. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes kemi bërë reklamimin dhe ai është dërguar në Komisionin e Disiplinës të UEFA-s, komision që e ka pranuar ankesën tonë. Njëkohësisht nesër do të bëjmë edhe pagesën e reklamimit dhe do të paraqesim disa prova shtesë që kemi mbledhur për të dy këto lojtare. Vetë delegati i UEFA-s është i sigurtë se ka një fallsifikim në këtë mes. Ne presim që PAOK të dënohet sepse përveç nesh, edhe ekipet e Sarajevës dhe Bettemborgut janë irrituar me një sjellje të tillë të grekëve”- ka sqaruar presidenti Matija në një prononcim për “Shkodra Sport”. Në këtë mënyrë tashmë pritet vendimi i Disiplinës të institucionit të futbollit europian. Në fakt një ngjarje e tillë duhet dënuar rëndë dhe UEFA nuk duhet të falë. Në vitin 1999, Vllaznia e meshkujve u pat dënuar prej saj vetëm për ngatërrim emrash në protokoll ndërsa këtë herë veprimi është shumë i rëndë: Një lojtare tjetër luan me emrin e një futbollisteje tjetër.
© shkodrasport.com