Kthehen hijet e trukimeve në futbollin gjerman, pas skandalit të shumë viteve më parë me gjyqtarin Hojcer. Këtë herë, akuzat nuk janë për gjyqtarë apo grupe kriminale, por për babain e një prej futbollistëve të përfaqësueses gjermane të futbollit.

Mediat gjermane kanë mësuar se Shoqata e Futbollit Gjerman të Verilindjes (NOFV), kishte nisur hetimet për dyshime se ndeshja e Regionalliga (kategoria e katërt) mes SV Babelsberg 03 dhe Germania Halberstadt kishte pasur tentativa manipulimi.

Trajneri i skuadrës së Babelsberg, Almedin Çiva, menjëherë pas takimit të fituar 3-1 kishte dalë në konferencë për shtyp ku kishte zbuluar se dy lojtarëve u ishin ofruar disa mijëra euro për të “hapur këmbët”. Sipas asaj që është mësuar më vonë, akuzat i drejtoheshin drejtorit sportiv të Halberstadt, Andreas Petersen, babai i futbollistit të Fraiburg dhe kombëtares gjermane, Nils Petersen.

Mediat gjermane saktësojnë se ka akuza me shkrim të dorëzuara në Federatë dhe ka nisur hetim disiplinor e penal. “Nuk ka asnjë gjë të vërtetë. Do të merren avokatët me këtë çështje. Askush nuk duhet të përfshijë emrin tim dhe të djalit tim në këtë çështje”, ishin komentet e vetme të Andreas Petersen pasi lajmi u bë publik.

“Pranoj që ka pasur kontakte, por vetëm për transferime në merkato, kjo është arsyeja pse lojtarët më kanë dhënë numrat e telefonave”, theksoi ai. /vipsport/