Edhe Simone Inzaghi e humbi etikën e tij të zakonshme, duke ngritur zërin si rrallëherë: “Fiorentina ishte e zemëruar, me të drejtë, ashtu siç isha i zemëruar unë në Leverkusen, kur pësuam gol nga një goditje këndi e nisur nga pozicioni jashtë loje, – tha ai pas fitores 2-1 ndaj Fiorentinës. – Fillimisht nuk e kuptova, por më pas e pashë përsëri penalltinë, e cila nuk ekzistonte. Kurrë”.
Raffaele Palladino kishte kohë që nuk ishte i kënaqur në ndeshjen e mbrëmjes dhe humbja ishte pothuajse një detaj: “Nuk flas kurrë për gjyqtarët, i kam premtuar vetes që të mos i gjykoj, sepse ata gabojnë ashtu siç bëjmë edhe ne. Por VAR-i duhet ta përmirësojë futbollin dhe nuk mund të ndodhë që të mos ndërhyjë për shkak të protokollit në një gabim objektiv, si një top që ka dalë jashtë fushe me 20-30 centimetra”.
Bëhet fjalë për goditjen e këndit, që shkaktoi polemika, të cilën e përmendi trajneri i Fiorentinës në konferencën për shtyp. Një gabim që për disa kujtoi rastin e famshëm të Muntarit, në aspektin gjeometrik nuk është shumë larg.
Protokolli i VAR-it ndalon ndërhyrjen pasi aksioni ka përfunduar, edhe në raste aq flagrante sa krosimi i Bastonit, që parapriu goditjen e këndit dhe golin e parë të Interit, me topin që kishte kaluar vijën anësore.
/origin-imgresizer.eurosport.com/2025/02/10/image-5b603603-037e-4b7f-a1a5-85e7a9c6cd16-85-2560-1440.jpeg)
Për më tepër, situata përfundoi me një tjetër “rigorino” të sezonit. Në një gjë Inzaghi gabon: edhe pse prekja e Darmianit mund të duket e largët nga fryma e lojës së futbollit, praktika arbitrale mbi këtë çështje është e diskutueshme, por tashmë mjaft e konsoliduar.
Inter-Fiorentina ishte përmbyllja e një fundjave të hidhur për gjyqtarët e Serie A, të cilët u kritikuan në mënyrë të përsëritur, jo vetëm për faktin se kampionati po hyn në fazën e tij vendimtare. Ankesa kishte nga të gjitha anët.
Inzaghi hapi serinë javën e kaluar, duke u rikthyer te penalltia e mohuar për kontaktin mes Pavlovic dhe Thuram. Por ai nuk ishte i vetmi. Nga Gasperini te Fabregas, duke kaluar nga Vagnati tek Ibrahimovic, teknologjia që supozohej të përmirësonte futbollin po i zhgënjen të gjithë.
Në “San Siro” situata arriti kulmin, skuadra arbitrale e drejtuar nga La Penna, i cili, për hir të së vërtetës, mund ta kishte parë me sy të lirë se topi kishte dalë jashtë vijave të bardha, përfundoi në bankën e të akuzuarve. Aty përfundoi i gjithë VAR-i, i cili në “San Siro” arriti të bashkonte të mërziturit dhe fituesit në një front të vetëm./telesport/