Peshëngritësi shqiptar, Briken Çalja u shpall kampion Europe në Rumani, pak javë më parë, duke marrë 3 medalje ari, në peshën 69 kilogramë.

Por, pavarissht se afati i pritjes së përgjigjeve të dopingut ka kaluar prej 21 ditësh, në Shqipëri, ende nuk e njohin Briken Çaljan si kampion.

Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar madje ka marrë një vendim drastik për peshëngritjen. KOKSH ka vendosur që ta lërë këtë sport, jashtë Lojërave Mesdhetare që do të zhvillohen në Spanjë.

Pas këtij vendimi ka reaguar dhe vetë Çalja. Peshëngritësi ka thënë se kjo gjë është e pa tolerueshme.

“Vetëm këtu në Shqipëri pritet përgjigjja, e për më tepër pritet përgjigjja që të dalim me doping. Në të kundërt nuk ka përgjigje zyrtare”, shprehet Briken Çalja për “TCH”.

“Besoj se është i vetmi rast në botë që merret një vendim i tillë për të dënuar sportistë medalistë për mospjesëmarrje në çdolloj aktiviteti.

Sidomos në Lojërat Mesdhetare, ku ne luftojmë me bindje të plotë për medalje. Minimalisht peshëngritja do të sillte 6 medalje nga ky turne.

Arsyeja është se jemi kapur me doping dikur dhe s’duhet të marrim pjesë. Ne jemi sportistë aktivë, unë jam kampion Europe.

Nuk ka shtet në botë apo ligj që ndalon një sportist aktiv të marrë pjesë në një garë. I vetmi rast është ky i yni”, thekson më tej Briken Çalja.

Lojërat Mesdhetare do të zhvillohen në Terragona të Spanjës, nga data 22 qershor deri më 1 korrik./newsport/