Briken Calja ka tërhequr vëmendje të madhe me anë të një publikimi të bërë në rrjetet sociale ditën e sotme. Kampioni i madh i peshëngritjes shqiptare ka postuar një mesazh “të koduar” në profilin e tij, ku lë të kuptohet qartë se është i zhgënjyer.
“Dy gabimet e mia në karrierë! Besimi i tepërt te personat e gabuar dhe tolerimi më shumë seç duhet… Së shpejti do të marrin përgjigjen e duhur…”, shkruan peshëngritësi, i cili për momentin duket se është mjaftuar vetëm me këtë reagim. Por gazeta zbulon shkakun e këtij reagimi nga ana 32-vjeçarit shtërmenas.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Briken Calja do të regjistronte një prej rezultateve më të mëdha të të gjitha kohërave për sportin shqiptar. Falë një paraqitjeje të jashtëzakonshme, peshëngritësi kuqezi fitoi tri medalje në Kampionatin Botëror, që u mbajt në Tashkent të Uzbekistanit.
Një medalje ari në shkëputje dhe dy argjendi në shtytje dhe dygarësh, ngjitën flamurin tonë kombëtar në shkallën më të lartë të podiumit në evenimentin madhor të shtangës. Sukses që ngriti në këmbë të gjithë Shqipërinë dhe bëri krenarë miliona shqiptarë në mbarë botën, ku si zakonisht nuk munguan as reagimet dhe urimet e shumta nga krerët e shtetit, të cilët me të drejtë përshëndetën rezultatet fantastike të Briken Caljes.
Por ndonëse nga ajo ditë e triumfit kanë kaluar më shumë se 7 muaj, peshëngritësi ende nuk është likuiduar për medaljet, shpërblim që i takon me ligj. Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që kampioni dhe rekordmeni i shtangës sorollatet dhe zvarritet, apo paguhet me këste, për medalje që i ka fituar me mund dhe djersë në kompeticione ndërkombëtare ku ka nderuar një komb të tërë.