Policia e Parisit ka bërë me dije se në orën 03:00 të mëngjesit të sotëm ka ndaluar në gjendje të dehur futbollistin italian të skuadrës së PSG-së, Marco Verrati, i cili më pas është shoqëruar në komisariat.

Sipas të përditshmes franceze “L’Equipe”, lojtari ishte duke i dhënë makinës në gjendje të dehur, teksa niveli i alkoolit në gjak ishte 0.49mg/l, më i lartë se norma e lejuar, 0.25mg/l.

Lojtari i Paris Saint Germain dhe i kombëtares “azzurre”, ka kaluar disa orë në qeli dhe më pas është lënë i lirë, por ai do të paraqitet sërish para autoriteteve për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Gjithsesi, masa e parë është marrë, pasi atij i është hequr patenta për një periudhë pa afat.

Klubi i PSG-së, përmes një mesazhi për mediat, ka deklaruar se lojtari ka kërkuar ndjesë për ngjarjen e shëmtuar që ka ndodhur, si skuadrës ashtu dhe trajnerit e fansave. Sipas rregullores së klubit, lojtarit pritet t’i ndalohet një pjesë e mirë e rrogës pas këtij incidenti.