Raportimet e fundit nga mediat gjermane e bëjnë fakt të kryer se Tomas Tuhel nuk do të jetë më trajner pas verës te Bajerni. Bordi nuk dëshiron të vijojë bashkëpunimin me teknikun 50-vjeçar. Në të tilla kushte emri më i përfolur gjatë këtyre ditëve është i Hansi Flik.

Madje, shkohet më tej sa thuhet se kanë nisur negociatat mes palëve. Por nga ana tjetër janë shfaqur përçarjet e para brenda drejtueseve. Anëtari më i ri, Maks Eberl, është një fans i madh i De Zerbit dhe po lobon që trajneri italian të marrë drejtimin e skuadrës.

Nga krahu tjetër, Uli Hënes dhe Karl-Hainc Rumenige janë pro Flikut, për faktin se 59-vjeçari e njeh mirë grupin dhe e ka dëshmuar veten te bavarezët në etapën 2019-2021. Ish-lojtari i Bajernit, Mehmet Sholl, është shprehur kundër rikthimit të Hansit:

“Nuk mendoj se do të funksionojë sërish Bajern-Flik. Ai e ka përfunduar ciklin në Mynih dhe nuk ka çfarë të japë më”, tha i bindur Sholl.