Interesimi i klubeve angleze për Vedat Muriqin mbetet i lartë. Së fundmi, sipas asaj që raportojnë mediat turke, në ndeshjen e Fenerbahçes të premten ndaj Gençlerbirligi, në stadium ka pasur skautë zyrtarë nga klubi i Leister Sitit.

“Dhelprat” duket se janë shtuar në kandidatët për sulmuesin teksa në atë ndeshje, 25-vjeçari shkëlqeu duke realizuar dy gola dhe udhëhoqi të tijtë drejt triumfit. Ende nuk ka një ofertë zyrtare në klub nga anglezët, megjithatë paraqitja e Muriqit ka lënë mbresa.

Mundësitë e ish-futbollistit të Besës e Teutës në Kategorinë Superiore janë të shumta, teksa nuk mungojnë alternativa edhe nga Italia, ku Lacio dhe trajneri Inzagi tërhiqen nga cilësitë e lojtarit.

Sakaq, me dygolëshin në ndeshjen e fundit, Muriqi është vendosur së bashku me një tjetër lojtar në kryesimin e golashënuesve në kampionatin turk duke përligjur interesimin e madh nga Europa. ///VipSport/