Shumë prej drejtuesve të ekipeve të ndryshme të kategorisë së parë kanë qenë kundër skemës që po aplikohet prej dy sezonesh nga Federata Shqiptare e Futbollit. Asaj që në fundin e fazës së dytë, ekipet pjesmarrëse të ndahen në dy grupe dhe pikët e tyre të përgjysmohen. Çka do të thotë se nëse një ekip ka patur një ecuri të mirë gjatë kampionatit dhe ka krijuar një shkëputje në dy fazët e para, ajo nuk do jetë e mjaftueshme për të arritur objektivin.
I pyetur nëse në sezonin e ardhshëm do të ketë ndonjë ndryshim të kësaj skeme, shefi i Sektorit të Garave pranë FSHF-së Lysien Nurishmi ka deklaruar: “Nuk kemi ankesë zyrtare nga klubet për të rishikuar formulën. Edhe për sezonin që u mbyll, por edhe këtë vit nuk ka ankesa. Edhe vitin e shkuar ishte e suksesshme, këtë e tregoi rivaliteti dhe fair-play. Nuk pati aludime për jo të luajtura korrekt, apo për lojtarë që nuk luanin. Në grupin e Veriut pati shumë rivalitet dhe solli garë të ndershme. Pra, për momentin është e frytshme. Po pati pakënaqësi, do ketë ndryshime”. Që do të thotë se të pakënaqurit duhet të ankohen zyrtarisht që tani në mënyrë që kjo skemë të ndryshojë sezonin e ardhshëm.
© shkodrasport.com