Në kampin durrsak nuk ka kohë për të pushuar. Me kualifikimin në “xhep” në raundin e parë të Kupës, Teuta ka kthyer vëmendjen te Kukësi. Skuadra ka nisur përgatitjet intensive dje dhe nën urdhrat e stafit teknik ishin që të gjithë lojtarët.

Ky 90- minutësh konsiderohet vendimtar për vazhdimësinë, ndaj të besuarit e Bledi Shkëmbit nuk duan që t’ia lënë asgjë rastësisë.

Atmosfera në ekip është tejet pozitive, megjithatë të gjithë e kanë të qartë se ndaj Kukësit kërkohet fitorja.

I këtij mendimi është edhe mesfushori shkodran Arsid Kruja, i cili për “Panorama Sport” i bën skanerin startit të këtij edicioni, duke filluar nga Kupa e për të kaluar te kampionati.

Si ndiheni me ardhjen e Shkëmbit, a jeni ambientuar me filozofinë e teknikut?

Në ekip ka hyrë një frymë e re dhe besoj se po ambientohemi të gjithë, këtë po e tregojmë edhe në fushën, ku po zhvillojmë një lojë shumë të bukur dhe me punë shpresojmë të realizojmë një sezon të mirë, të shkojmë sa më larg.

Fituat 0-3 në Pukë dhe kualifikimi është një hap larg…

Zhvilluam një ndeshje të mirë dhe arritëm të fitonim dhe të merrnim një rezultat shumë pozitiv për ne.

Gjetët edhe rrjetën ndaj Tërbunit. Tani që u zhbllokuat, sa gola mendoni se mund të shënoni?

Çdo lojtar ka objektivat e veta në aspektin personal. Objektivi im është të shënoj sa më shumë për të ndihmuar ekipin, por jo të tregohem egoist. E rëndësishme është që skuadra të marrë pikët dhe të arrijmë objektivat që ka vendosur klubi.

Sa larg mund të shkojë Teuta në Kupën e Shqipërisë?

Ne do vazhdojmë të bëjmë punën tonë, të jemi seriozë dhe të paraqitemi sa më mirë. Me punë dhe përqendrim mund të shkojmë shumë lart.

Sytë janë te faza e sulmit në ketë periudhe, a ju vendos ky fakt në presion?

Për mua nuk ka aspak presion, jemi stërvitur, kemi derdhur djersë dhe besoj se i gjithë ky mund do na shpërblehet me rezultate pozitive. Nuk ka shumë diferenca në kampionat dhe për mendimin tim them se do shënojmë më shumë në ndeshjet e ardhshme.

Të kalojmë te kampionati, këtë fundjavë prisni Kukësin. Si parashikohet ky 90-minutësh?

Është një ndeshje shumë e vështirë që kërkon vlerësimin maksimal nga ana jonë. Me mbështetjen e publikut, mendoj se do t’ia dalim. Gjithsesi, pjesën tjetër le t’ia lëmë fushës së lojës, ajo do të tregojë çdo gjë.

5 pikë në tri javët e para, mund të kishte marrë më shumë Teuta nga starti i këtij sezoni?

Nëse do ishim treguar pak më të saktë, mund të kishim marrë, por nuk duhet të mendojmë për të kaluarën. Le të vështrojmë përpara, pasi na presin ndeshje shumë të vështira.

Sipas jush, cili është rivali më i fortë i kampionatit?

Me gjithë respektin për ekipet e tjera, por unë mendoj vetëm për ekipin tim. Duhet të fokusohemi dhe besoj se do t’ia dalim.

Mendoni se Teuta i ka të gjitha cilësitë për të realizuar objektivin e klubit, që është pjesëmarrja në zonën “Euro”?

Ne punojmë fort çdo ditë për të realizuar këtë gjë. Teuta i ka të gjitha cilësitë dhe mundësitë, por është ende herët të flasim, sezoni është i gjatë./panorama-sport/