Skënder Gega pritej të ulej në stolin e Al Ramtha, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Newsport.al ka mësuar se trajneri kampion nuk ka firmosur për klubin nga Jordania. Ish tekniku i një sërrë klubesh të njohura, sezonin e shkuar u shpall kampion me Partizanin, duke kthyer në kryeqytet titullin pas gati tre dekadash.
Shkak janë bërë kushtet e paplotësuara për ndihmësit e tij që kanë bërë që tekniku tropojan të bëjë “prapa-kthehu”. I kontaktuar nga newsport.al, trajneri kampion ka pranuar që nuk ka firmosur në Jordani, duke treguar se është kampion edhe jashtë fushe.
“Kishim rënë dakord që unë do kisha edhe stafin tim me vete, por nga klubi jordanez nuk janë plotësuar disa nga kërkesat për ndihmësit. Sigurisht që ishin folur më herët për pikat e kontratës, gjë që nuk u realizua prej tyre. Kontrata ime nuk prekej, por nuk mund t’i ktheja shpinën stafit edhe pse përfitimi ishte i majmë”, ka theksuar Gega.
Ditën e djeshme pritej konferenca e prezantimit në Jordani, me Gegën që kishte udhëtuar me mendje të fjetur. “Pas peripecive me stafin, kam komunikuar me drejtuesit dhe menaxherin duke e refuzuar këtë mundësi”, ka mbyllur komunikimin Skënder Gega.
Ish trajneri i Shqipërisë U21 tanimë është i “papunë”, duke iu shkelur syrin shumë klubeve që kanë kërkesa për të. Pritet të shihet nëse trajneri kampion do të pranojë ofertat nga Superliga shqiptare, apo do kalojë tej kufijve. Eksperienca dhe stofi i kampionët e çojnë larg, zhvillime të reja priten në vazhdim për të ardhmen e tij.