Ish-trajneri i Partizanit, Skënder Gega, është pranë rikthimit në Kategorinë Superiore. Sipas të gjitha gjasave, ai pritet të jetë trajneri i ri i Kukësit në sezonin 2020-2021. Burime të besueshme pranë klubit verilindor i thanë dje gazetës “Panorama Sport” se Gega është pranë akordit me drejtuesit e Kukësit dhe pritet të pasojë Orges Shehin në stol.

Palët janë në negociata prej pak ditësh, teksa gjithçka duket në rrugën e duhur. Në fakt, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, është një alternativë tjetër potenciale, por duket se në orët e fundit Gega e ka parakaluar dhe është ai që mund të drejtojë ekipin e Kukësit sezonin tjetër.

Deri më tani zyrtarisht nga klubi nënkampion në fuqi nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar, qoftë sa i përket të ardhmes së Orges Shehit, por gjithashtu për emrin e ri. Gazeta ka siguruar një foto të dy ditëve më parë, ku Gega është parë në shoqërinë e zv.trajnerit aktual të Kukësit, Rrahman Hallaçi, në një prej lokaleve të kryeqytetit. Në shoqërinë e tyre ka qenë edhe Florian Ristani, i cili ka qenë trajner i portierëve të Partizanit në sezonin e kaluar, pikërisht kur Gega shpalli kampion “demat” pas 26 vitesh.

Trajneri i Kukësit, Orges Shehi, pavarësisht fitores 5-2 në Gjirokastër, ka theksuar në deklaratën për “Panorama Sport” se skuadra e tij pati një shthurje në fillimin e pjesës së dytë. Ai sqaroi se s’ka asgjë të sigurt nëse do të qëndrojë ose jo te Kukësi. “E nisëm ndeshjen shumë mirë, arritëm ta zotëronim lojën dhe shënuam shumë shpejt dy gola. Mund të bënim edhe më shumë.

U futëm në pushim me idenë për ta kontrolluar lojën më mirë pjesën e dytë, por humbëm përqendrimin. Nuk na falen ato pesë minuta, ku humbëm qetësinë dhe u shthurëm totalisht. Ne e kishim siguruar Europën, por jo vendin e dytë para kësaj ndeshjeje. E ardhmja? Jemi në Shqipëri, gjërat ndryshojnë, kështu që nuk di asgjë konkretisht dhe besoj se në ditët në vijim do të merret vesh gjithçka”, ka thënë Shehi.