Të fitosh titullin është një rrugë e vështirë dhe shumë e ndërlikuar. Të marrësh ndonjë “recetë” nga Skënder Gega se si dilet kampion duket po aq e komplikuar… Por duket, ama, sepse këtë herë ish-trajneri i Partizanit dhe i Kukësit vendos të jetë shumë më i drejtpërdrejtë se në shumë dalje të tija mediatike, kur ai praktikisht driblon me diplomaci për çdo temë të nxehtë.
Këtë herë jo. Në intervistën për “Panorama Sport”, Gega thotë se skuadrat pretendente duhet të bëjnë kujdes në ndeshjet direkte. Shpjegon se përse Kukësi mbeti kaq mbrapa. Analizon me detaje se përse Teuta, Partizani dhe Vllaznia mund ta fitojnë titullin dhe përse Tirana me Kukësin mund të jenë faktorë vendimtarë në verdiket e sezonit.
Është një Skënder Gegë ndryshe, që këmbëngul se titulli mund të fitohet pa aleanca. “Jemi misionarë, edhe kur jetojmë me futbollin. Mund të ngresh një kupë, por varet se çfarë ke lënë mbrapa”, thotë ai për gazetën.
“Kampionati është si asnjëherë tjetër, ka ardhur i luftuar deri në këto momente. Janë shumë ekipe që po shkojnë paralel me njëri-tjetrin, çka e ka bërë një kampionat shumë interesant. Në fakt, pozitive është sepse secili nga ekipet ka vlerat e veta, ka kualitet brenda.
Por, në disa momente, kanë shfaqur të njëjtat dobësi. Nuk kanë pasur vazhdimësinë për t’u shkëputur. Kjo e ka bërë kampionatin kaq të ngjeshur. Edhe pjesa poshtë, deri më tani, po bën një garë të mirë, pavarësisht se kanë pasur problematika të ndryshme. Kanë luftuar fort kundër ekipeve kryesuese.
Teuta është një ekip ku është investuar. Pa filluar kampionati, e kanë deklaruar se duan kreun. Partizani nuk ishte cilësuar pretendent që nga fillimi i kampionatit. Mirëpo, i tillë është futbolli, duhet t’i bësh detyrat çdo javë. Teuta ka pasur edhe shumë barazime, që unë te Partizani nuk i kisha asnjëherë tri barazime rresht, pasi quheshin si minikrizë…
Reagimet e Partizanit tim kanë qenë shumë më të mira pas ndonjë rezultati negativ, sepse sapo humbnim një ndeshje, fitonim shumë shpejt. Për fat të keq, në këtë kampionat të gjitha ekipet kanë pasur presione, përfshirë dhe Kukësin që unë e kam drejtuar.
Për sa i përket cinizmit, futbolli vetë është cinik. Një ekip që nuk ka balanca dhe nuk ka cinizëm, mund të jetë i bukur për 30 minuta, por pastaj e mbyll ndeshjen katastrofë. Duke parë edhe cilësitë edhe të metat, trajneri krijon një ide, një format që të mos ndryshojë, për të dalë kampion.
Kemi luajtur me Vllazninë një ndeshje miqësore dhe i kam parë nga afër. I thashë edhe presidentit Gjici që më pëlqyen shkodranët, pasi bënin futboll të hapur dhe të bukur. Nuk kanë pasur cinizmin, por kanë pasur edhe mungesa herë pas here dhe kjo ua prishi ekuilibrat. Megjithatë, në ndeshjen e fundit, kam parë Vllazninë e dy fazave të para. Mendoj se është edhe Vllaznia për titull.
Vllaznia, përderisa bën dy faza shumë të mira, ndoshta një fazë e tretë jo shumë e mirë për shkak të mungesave, e shoh që kanë ardhur prapë ku kanë qenë. Në këtë moment janë vërtet në formë. Megjithatë, ndonjëherë futbolli do edhe fat. Gjithsesi, Vllaznia është aty dhe e shoh si ekip që do ta mbajë garën deri në momentin e fundit”- ka thene nder te tjera Gega.