Skënderbeu po përgatitet në Maliq për duelin ndaj Vllaznisë. Për të mbajtur në kushte optimale fushën për duelin ndaj shkodranëve, skuadra korçare ka zgjedhur të stërvitet në tapet me bar artificial në qytetin e Maliqit.

Në dispozicion të trajnerit Ernest Gjoka ishin të gjithë lojtarët, teksa trajneri ka dhënë këshillat e fundit në prag të sfidës ndaj Vllaznisë. Nga minuta e parë pritet ta nisë edhe qendërmbrojtësi Dumfur, i cili duket se ka lënë pas shqetësimet.

Korçarët janë të përqendruar te ndeshja e radhës në kampionat. Kjo sfidë, përtej vështirësive, është e rëndësishme për bardhekuqtë, që kërkojnë pikët maksimale për tu shkëputur nga fundi i klasifikimit.

Dilema e vetme për Gjokën duket se është gjendja e Randit, i cili për momentin pritet të përfundojë në tribunë për shkak të problemeve fizike. Vendin e tij në qendër të mbrojtjes do ta zërë Ramos me kapitenin Prençi dhe pjesa tjetër e ekipit do të jetë e njëjta me atë që ka zbritur në fushë ndaj Partizanit.