Marko Alia është portieri i ri i Skënderbeut. 23-vjeçari i dalë nga akademia e Lacios ka firmosur zyrtarisht me klubin korçar një kontratë 3-vjeçare.

I shoqëruar nga menaxheri i tij shqiptar, Serxhio Mezi, portieri takoi dje presidentin Ardjan Takaj dhe ra dakord për gjithçka, teksa për herë të parë do të luajë në Kategorinë Superiore.

Burime zyrtare në klub i thanë “Panorama Sport” se Alia nënshkroi kontratë 3-vjeçare dhe do të nisë stërvitjen me ekipin e ri më 3 korrik.

Portieri ka qenë pjesë e Kombëtares U-21, ndërsa së fundmi ka luajtur në Serinë C me Monterosi FC.