Dinamo ka siguruar gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë pas një fitoreje “për t’u harruar” ndaj Skënderbeut në Korçë me shifrat 4-0. Një fitore për t’u harruar pasi korçarët kishin injoruar plotësisht turneun, edhe pse kishin fituar 2-0 ndeshjen e parë, pasi paraqiteshin sot me shumë lojtarë zëvendësues dhe nga ekipi i të rinjve. Por blutë nuk ia dolën të përfitonin siç pritej nga kjo situatë edhe pse me titullarët për të mbyllur vetë kualifikimin.

Blutë nuk dinin të shënonin para portës dhe ndonëse gjetën avantazhin me një autogol, nuk shënuan gola të tjerë për të hapur plotësisht kualifikimin deri në shtesë, kur Skënderbeu kishte mbetur me 10 lojtarë dhe kur mbrojtja korçare thuajse nuk ishte në fushë me gabimet e njëpasnjëshme.

Kjo bëri që ndeshja të shkonte me shtesa ku më pas vazhdoi i njëjti trend i dhuratave nga prapavija e korçarëve, që solli golat e Qardakut dhe Zabërgjës për të siguruar kualifikimin pa ngjyrë të Dinamos në gjysmëfinale.

SKËNDERBEU-DINAMO 0-4
30′ (ag) Nasto, 90’+5′ Mandela, 94′ Qardaku, 115′ Zabërgja