Skënderbeu ka konfirmuar dënimin 2-vjeçar për Jashanicën, teksa Komisioni i Apelit të UEFA-s ka vendosur të lërë në fuqi masën disiplinore kundër futbollistit të korçarëve.
Nëpërmjet një reagimi për shtyp, Skënderbeu ka njoftuar se pavarësisht argumenteve dhe dëshmive të dhëna, nuk ka mundur të ul dënimin për lojtarin e tij.
Tashmë bëhet e ditur se drejt KAS-it po shkon një tjetër çështje e këtij klubi, por këtë herë flitet për fatin individual të një futbollisti. /vipsport/
REAGIMI
Komisioni i Apelit i UEFA-s vendosi lënien në fuqi të masës disiplinore “pezullim nga aktiviteti” për një periudhë 2-vjeçare për lojtarin e KF Skënderbeut, Bajram Jashanica.
Pavaresisht argumenteve dhe dëshmive të dhëna në seancë gjyqesorë nga ana e lojtarit dhe personave të tjerë të lidhur me çështjen, organi juridik vendosi mospranimin e kërkesës të paraqitur nga Bajram Jashanica për uljen e sanksionit.
Bëjmë me dije se aktualisht, palët janë në pritje për disponimin nga ana e Komisionit të Apelit të UEFA-s të vendimit integral, i cili do të ankimohet në CAS.
KF Skënderbeu i ka ofruar lojtarit të gjithë mbështetjen e mundshme gjatë kësaj periudhe të vështirë për të dhe beson se masa disiplinore është disproporcionale me rrethanat e ngjarjes dhe me shkallën e përgjegjësisë të Bajram Jashanica.
Për këtë arsye, në çdo formë dhe me të gjitha mjetet në dispozicion, do të kërkojmë vendosjen e një mase disiplinore më të ulët, për garantimin e vijueshmerisë së karrierës të lojtarit tonë.
Zyra për Shtyp,
KF Skënderbeu