Ashtu si në fazën e parë, Tirana dhe Skënderbeu janë ndarë në një barazim 1-1 në ndeshjen e javës së 14-të. Në “Selman Stërmasi” skuadrat ndanë nga një pikë, por asnjëri ekip nuk mund të thuhet se buzëqesh, pasi korçarët mbeten në vendin e dytë, ndërsa Tirana vijon që të “lundrojë” në ujëra tepër të rrezikshme.
Ndeshja nisi e kujdesshme, me skuadrat që nuk kishin shumë guxim për të avancuar në sulm. Tirana e rriti “marshin”, duke ngacmuar më shumë kryesisht me inkursionet nga krahët, megjithatë rasti më i rrezikshëm do të regjistrohej nga miqtë. Krasniqi avancoi në zonën e Abibit dhe u desh ndërhyrja e Hoxhallarit për të evituar një rast të rrezikshëm.
Pretendime nga ana e korçarëve, por për gjyqtarin gjithçka e rregullt. Pas këtij momenti juglindorët e shtuan presionin dhe u shpërblyen. Radas hodhi një top në qendër të zonës së bardhebluve nga një goditje dënimi, Dita, i harruar nga mbrojta vendase, nuk e pati të vështirë që ta devijonte topin drejt fundit të rrjetës. Një gabim trashanik i mbrojtjes së skuadrës së Memës, që sjell gëzim në kampin korçar.
Gjithsesi, Tirana gjeti forcat për të shënuar golin e barazimit para se gjyqtari të sinjalizonte fundin e pjesë së parë. Greca ishte i papërmbajtshëm nga e majta në të 44-ën, dhe shumë pranë fundore pasoi për Sentamun, i cili me portën bosh, ju desh vetëm ta shtynte topin pas shpinës së Teqes.
Pjesa e dytë nisi me ritëm, me Skënderbeun që krijoi mundësinë e parë të rrezikshme. Tirana në krahun tjetër po ashtu shtynte para, por pa mundur që të vërë në vështirësi Teqen. Në fund një barazim që nuk është i mjaftueshëm për asnjërën nga skuadrat.
Skënderbeu nuk arrin që të shfrytëzojë dot hapin flas të Partizanit, pasi tani e sheh veten në kuotën e 30 pikëve, një më pak se “demat”. Bardheblutë në krahun tjetër regjistrojnë ndeshjen e shtatë në kampionat pa fitore, por kjo pikë mund të japë pak moral për ndeshjen e javës së ardhshme me Partizanin. Gjithsesi, kryeqytetasit nuk janë në pozita aspak të mira, pasi tani janë në kuotën e 11 pikëve./sport-ekspres/