Skënderbeut i ka mjaftuar një gjuajtje në portë për të siguruar një barazim 1-1 ndaj Partizanit dhe për të kapërcyer Bylisin në renditje, duke i dhënë vetes një shtysë të rëndësishme në luftën për mbijetesë.

Një devijim i Alfred Mensah pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë mjaftoi për të prishur gjithçka që Partizani kishte ndërtuar në pjesën e parë, të finalizuara me golin e Zhunior në fundin e pjesës së parë.

Kjo ishte e vetmja gjuajtje në portë e Skënderbeut, që më pas u mbrojt me rregull dhe mori pikën që i duhej për mbijetesën, ndërsa Partizani lëshoi kreun e klasifikimit duke zbritur në vendin e dytë, me një pikë më pak se Teuta.

Skënderbeu-Partizani 1-1
56′ Mensah / 45′ Zhunior

Skënderbeu: Rexhepi, Meksi, Agbodzi, Vitija, Bajrami, Zguro, Vangjeli, Taipi (90′ Rapaj), Zhan Viktor (46′ Mara), Berisha, Mensah (86′ Pusi).
Trajner: M. Memelli

Partizani: Hoxha, Idrizaj (86′ Cara), Bitri, Belica, Hakaj, Broja (68′ Kote), Murataj (81′ Kardoso), Hasani, Asani, Çinari, Stenio Zhunior.
Trajner: I. Daja

KV: Zguro, Vangjeli

Gjyqtar: Eldorian Hamiti

MINUTË PAS MINUTE

90’+5’ Mbyllet ndeshja me barazimin 1-1.

90’+3’ Hasani pason në mënyrë perfekte për Asanin, i cili gjuan me kokë por Rexhepi del dhe i bllokon rrezen duke i mohuar golin sulmuesit të të kuqve.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

86’ Një pasim nga e majta gjen Asanin në shtyllën e dytë pas një devijimi të Zhunior, por gjuajtja nuk është e saktë dhe sfera kalon jashtë.

85’ Hasani gjen Çinarin në zonë dhe ky i fundit në vend që të gjuajë pason për Asanin, por gabon në pasimin e fundit dhe Rexhepi kontrollon sferën.

75’ Idrizaj gjen hapësirë për të harkuar nga e djathta, por i jep sferës më shumë forcë se duhet dhe ajo përfundon në fundore.

72’ Shpërthim i Hasanit në krahun e djathtë, por nuk arrin të nisë topin drejt Çinarit i cili po vinte me shpejtësi.

66’ Pas një goditje nga këndi, Çinari provon të gjuajë fluturimthi po pa shënjestrën për të shqetësuar Rexhepin.

62’ Mundohet të reagojë Partizani për të kërkuar shpejt përsëri avantazhin, por jo me forcën e pjesës së parë.

56’ GOOOL Skënderbeu, shënon Mensah.

51’ Mundohet të dalë para Skënderbeu me Berishën, por mbrojtja e Partizanit nuk lë hapësira deri tani.

46’ Pjesa e dytë e ndeshjes nis me një zëvendësim te Skënderbeut, ku ka hapësira për Marën.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e Partizanit.

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

45′ GOOOL Partizani, shënon Zhunior.

42’ Harkim i Idrizajt nga e djathta, Hasani vetëm devijon lehtësisht, pa arritur të kthejë topin në rrjetë.

37’ Provon edhe Asani të gjuajë në portë, Rexhepi përgjigjet si duhet duke grushtuar sferën.

34’ Kombinim i shpejtë mes Zhunior dhe Çinarit, ky i fundit gjuan me të majtën por goditja është qendrore dhe Rexhepi pret pa vështirësi.

30’ Përpiqet të dalë nga gjysmëfusha e vet Skënderbeu, duke kërkuar pasimet e shpejta në krahë për Berishën dhe Mensah.

24’ Zhunior gjuan përsëri nga jashtë zonës, Rexhepi kontrollon i sigurt.

22’ Shpëton Skënderbeu. Një gjuajtje e Asanit grushtohet nga Rexhepi, sfera shkon te Hasani i cili gjuan por në mënyrë të pabesueshme çon sferën jashtë.

20’ Aksion i gjatë i Partizanit me një harkim në shtyllën e dytë për Hasanin i cili ul topin me kokë për Zhunior, por goditja e këtij të fundit nuk shkon në rrjetë por mbi traversë.

18’ Iniciativa e Partizanit në këto minuta, por mbrojtja korçare është shumë e ngjeshur dhe nuk ka hapësira për të rrezikuar portën e Rexhepit.

13’ Çinari provon të majtën e tij nga jashtë zonës, Rexhepi në dy kohë kontrollon topin.

11’ Pas një goditje dënimi, Broja dhe Zhunior tentojnë portën e korçarëve, sfera devijohet jashtë.

8’ Një harkim në zonë i Meksit nga e djathta, kontrollohet pa probleme nga Hoxha.

1’ Nis ndeshja në Korçë.