Ka filluar me festë kampionati i ri në Shkodër por fundi i ndeshjes Vllaznia- Skënderbeu, ka sjellë dëshpërim të madh tek të gjithë shkodranët. Kuqeblutë janë mundur 3-1 nga kampionët në fuqi të vendit, në një ndeshje ku ata kanë lënë shumë për të dëshiruar. Pritshmëria për këtë sfidë ka qenë krejt tjetër. Ndeshja ka nisur me ceremoninë e hapjes së kampionatit nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ka vazhduar me një ceremoni tjetër, atë të lënies së futbollit për një nga sulmuesit më të mirë të historisë së Vllaznisë, Vioresin Sinanit. Këto ceremoni i kanë lënë vendin pastaj ndeshjes në fushë. Aty ku vendasit kanë luajtur mirë në 15 minutat e para duke sjellë shpresë tek 6 mijë tifozët e pranishëm se do argëtoheshin edhe me një fitore të skuadrës së tyre të zemrës. Por nuk  do të ndodhë kështu. Pikërisht në minutën e 19-të kroati Pejiç shfrytëzon një gabim të shkodranëve në kontrollin e topit dhe nuk fal duke e dërguar atë në rrjetë. Kaq ka mjaftuar që Vllaznia të mos duket më në fushë. Për rrjedhojë, Pejiç sërish në minutën e 34-të do shënojë dhe përsëri për një gabim në vendosje të mbrojtësve shkodranë. Me avantazhin 2-0, korçarët shkojnë të qetë në dhomat e zhveshjes. Ndonjë shpresë për ndryshim në lojën e shkodranëve në 45 minutat e dyta, zbehet shpejt. Pejiç që në minutën e 47-të, mes dy mbrojtësve vendas godet sërish dhe shënon edhe golin e tretë. Kaq mjafton për të kuptuar se Skënderbeu është ende kampion ndërsa Vllaznia vuan sërish si një sezon më parë. Një gol i Smajlit në minutën e 77-të do të shërbente vetëm sa për të zbutur shifrat e një humbje të tillë. Megjithatë mbetet një humbje që nuk është kapërdirë mirë në Shkodër. Tjetër gjë është pritur pas 12 blerjeve të bëra në merkaton e verës dhe tjetër gjë është parë në fushën e lojës. Vllaznia e ka nisur në mënyrën më të keqe kampionatin e ri.

www.shkodrasport.com