Skënderbeu pret ditën e nesërme Partizanin e vendit të parë. Megjithatë, ky fakt nuk përbën shumë shqetësim për trajnerin e korçarëve, Migen Memellin, i cili në konferencë për shtyp thekson se nuk e sheh klasifikimin dhe i beson formës së ekipit të tij.

Memelli shton se në javët e mebtura do të synojnë të marrin maksimumin e pikëve të mbetura në lojë, pra 15 pikë.

“Partizani është një rival tek i cili ne do të kërkojmë synimet tona. Një rival që ka meritë për atë që ka bërë këtë kampionat, një kundërshtar që do e vlerësojmë në mënyrë të barabartë dhe do të hyjmë në fushë për të bërë maksimumin.

Unë nuk shikoj klasifikimin, ja kam shprehur edhe skuadrës. Partizani ka vlera si skuadër, por ne vlerësojmë edhe veten në këto momente. Kemi bërë mirë, kështu që mendoj se nesër do të hyjmë në fushë si të barabartë.

Mendja është nesër te kundërshtari i radhës, duam të bëjmë më të mirën ndaj tij. Mungesat? Sadriu dhe Doëouna për arsye kartonësh, ndërsa pjesa tjetër është diçka që do e rregullojmë sot.

Do përpiqemi t’i marrim të 15 pikët, kjo është e bukura. Përderisa matematika na lejon që të gjitha këto pikë na mbajnë në Superiore dhe na largojnë nga ‘play-out’, padiskutim që do të futemi në fushë për t’i marrë.

Dy pikë jemi me Kastriotin, Kukësi është pak larg, por ne do mundohemi të bëjmë maksimumin në këto ndeshje. Porosia ndaj skuadrës? Asgjë, jemi munduar të vazhdojmë me procesin e stërvitjes që na sjell te kjo ndeshje.

Kemi larguar pak euforinë e fitores me Kastriotin, sot do të flasim për gjërat që do të bëjmë nesër ndaj Partizanit. Padiskutim që më vjen keq për renditjen e ekipit. Kemi bërë shumë mirë në dy fazat e fundit, do të vazhdojmë të bëjmë mirë. Besoj se do t’ia dalim”, u shpreh Memelli. /VipSport/