Kur është luajtur java e 13-të e kampionatit të Kategorisë Superiore, gara për titullin kampion duket e mbyllur që tani, me Skënderbeun të parivalizueshëm nga askush, madje as nga kampionët në fuqi. Pikërisht këta të fundit janë mundur në Korçë me rezultaitn 2-1, ndonëse ishin në superioritet numerik ndaj bardhekuqëve, të cilët u detyruan të luajnë me 10 futbollistë për gati 20 minuta, pas daljes së Vangjelit të ndëshkuar me dy kartonë të verdhë. Ishin dy golat e realizuar nga Taku dhe James ata që i dhanë fitoren korçarëve, ndërkohë që goli i Gurit rezultoi i pamjaftueshëm për verilindorët.
Falë fitores ndaj Kukësit, skuadra e Skënderbeut shkon në kuotën e 31 pikëve dhe rivendos distancën në 8 pikë nga vendi i dytë, ku tashmë pozicionohet të paktën provizorisht skuadra e Kamzës. Ndërkohë, Kukësi renditet në vend të tretë në kuotën e 22 pikëve, 9 pikë larg korçarëve. Një supersfidë e nisur me ritëm të lartë dhe me të dyja skuadrat që synojnë të gjejnë golin. Pas tentativës së parë të verilindorëve me anë të Bakajt, janë vendasit me një seri përpjekjesh me protagonistë Radas, James, Lilaj dhe Taku. Është pikërisht ky i fundit që në të 36’, ka finalizuar në mënyrë perfekte një aksion spektakolar të korçarëve, duke dërguar topin në rrjetë dhe kaluar Skënderbeun në avantazh. Nuk ka vonuar reagimi i Kukësit, që në të 43’ ka rivendosur barazinë, falë nëpërmjet golit të realizuar nga Guri. Sulmuesi ka shfrytëzuar maksimalisht krosimin e Bakaj dhe lirinë e dhuruar nga mbrojtja bardhekuq, duke dërguar topin në portën e Shehit. Pjesa e dytë nis me korçarët në kërkim të golit të fitores, që pas disa tentativash arrijnë ta gjejnë pikërisht në të 69’ nga këmbët e James, që ishte protagonist me asistin në golin e parë. Pavarësisht daljes së Vangjelit nga fusha e lojës në minutën e 72’, pas dy kartonave të verdhë, duke lënë Skënderbeun në inferioritet numerik për gati 20’ minuta, Kukësi e pati të pamundur të gjejë golin e barazimit.