Skënderbeu do t’i rifillojë më 3 janar përgatitjet për pjesën e mbetur të sezonit. Ky është vendimi i drejtuesve të klubit bardhekuq dhe stafit teknik. Janë njoftuar të gjithë lojtarët, kryesisht ata të huaj, se më 3 janar duhet të jenë të gjithë në “Tropikal Resort” në Durrës, për t’u bashkuar me pjesën tjetër të ekipit, nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka.
Edhe pse është ende herët për të folur për lëvizjen e parë zyrtare të korçarëve, në klubin bardhekuq kanë filluar të kërkojnë lojtarë të rinj për ta nxjerrë ekipin nga situata e vështirë në renditje. Momentalisht nuk ka emra konkretë, por duket se drejtuesit e klubit dhe stafi teknik e kanë specifikuar se ku do të jenë afrimet, që Skënderbeu i ka të domosdoshme.
Burime të gazetës bëjnë me dije se në kampin bardhekuq po kërkojnë me ngulm dy mbrojtës, dy mesfushorë dhe një sulmues, në mënyrë që të rritet cilësia e grupit aktual.
Gazeta mëson se njëri prej futbollistëve që mund të veshë fanellën bardhëkuqe pritet të vijë nga Liga 2 në Portugali. Drejtuesit korçarë kanë filluar bisedimet me këtë lojtar, por emri momentalisht po mbahet sekret nga klubi.