Skënderbeu nuk pritet të hasë në pengesa madhore për të konkretizuar titullin e 7-të kampion.

Diferenca prej 15 pikësh me Kukësin të lejon edhe momente shpërqëndimi, megjithëse korçarët në javët e fundit pavarësisht ndonjë luhatje në lojë nuk kanë lëshuar aspak duke rregjistruar 4 fitore dhe 2 barazime në 6 ndeshje.

Vllaznia në vitet e fundit ka qënë sinonim i buzeqeshjes për bardhekuqtë, 7 fitore dhe një barazim ka rregjistruar Skënderbeu kundër shkodranëve, megjithatë kësaj here mungesat mund të ndikojnë jo pak tek skuadra e Ilir Dajës.

Sabjen Lilaj është jetik në organizmin e lojës së jug-lindorëve dhe mesfushori për shkak të një dëmtimi muskulor nuk do të jetë i gatshëm të paktën për 20 ditë.

Kapiteni Orges Shehi është lideri i kësaj skuadre dhe ai po ashtu si Lilaj nuk do të zbresë në fushë dhe pritet të rikthehet në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë.

Jashanica vijon të jetë i dëmtuar, megjithëse mbrojtësi edhe nëse do ishte i gatshëm nuk mund të luante për shkak se rezultoi pozitiv në analizat e anti-doping pas ndeshjes kundër Young Boys në Europa league.

I vetmi lajm i mirë vjen nga Gjergji Muzaka. 33-vjeçari i është ribashkuiar grupit dhe është në dispozicion të trajnerit për transfertën e Shkodrës.

Sfida kundër Vllaznisë mund të përballohet edhe me një sërë mungesash duke llogaritur distancën e madhe me ndjekësit në kampionat, situata bëhet shumë më shqetësuese kur mendohet takimi i parë gjysmëfinal i Kupës kundër Flamurtarit që do të luhet më 4 prill.