Kur dukej e kryer puna e kalimit të Xhevahir Sukajt tek Skënderbeu, gjërat kanë marrë rrjedhë krejt tjetër. Arsyeja është vlera financiare që lojtari duhet të derdhë në klubin shkodran për të qenë i lirë. Dhe kjo vlerë nuk është e vogël por bëhet fjalë për plot 50 mijë euro. Në kushte të tilla, një ekip shqiptar nuk e ka ndër mend të shpenzojë një shumë kaq të madhe për blerjen e kartonit të një lojtari kur ka parasysh se edhe kërkesat financiare të tij janë të larta.
Nëse në aspektin kontraktual duket se korçarët janë marrë vesh me Sukajn teksa flitet për 40 mijë euro për 6 muaj, palët nuk janë marrë vesh pikërisht për atë se kush duhet të paguajë për marrjen e kartonit nga klubi shkodran. Vetë lojtari nuk ka asnjë interes ta paguajë nga xhepi këtë shumë por nga ana tjetër, edhe klubet nuk kanë aq buxhet sa ta paguajnë ata.Pikërisht për këtë arsyse duket se hoqi dorë edhe Flamurtari i Vlorës nga shërbimet e Sukajt. Në kushte të tilla, vetëm ndonjë klub i huaj mund të ndërhyjë në këtë mes. Dhe ofertat e para kanë ardhur në adresë të sulmuesit 24 vjeçar. Separan i Iranit dhe dy skuadra malteze duan të negociojnë me lojtarin dhe ndoshta ai është i detyruar të lëvizë diku jashtë vendit për të mos mbetur peng i kontratës që ka të nënshkruar me klubin shkodran, pavarësisht se ai nuk po luan prej një muaji me këtë skuadër.
www.shkodrasport.com