Pasi emëroi Julian Ahmatjan në stol, Skënderbeu po hedh hapat e parë edhe për ndërtimin e skuadrës për sezonin 2020-2021. I pari lojtar që u është afruar në stërvitje është Silvestër Shkalla, mbrojtësi që sezonin e fundit e mbylli te Bylisi.
Gazeta “Panorama Sport” mëson se shtatlarti nga Durrësi është vënë nën urdhrat e stafit teknik, e megjithatë është ende herët për të folur për firmë. Ndërtimi i skuadrës duket se do të nisë nga prapavija, derisa drejtuesit kanë kontaktuar edhe një tjetër lojtar për qendrën. Bëhet fjalë për Dajan Shehin, i cili mbrojti ngjyrat e Vllazninë në kampionatin e kaluar.
SHITJET
Mbeten pezull shitjet e bujshme që korçarët thuajse i kishin mbyllur në këtë sesion merkatoje. Bëhet fjalë për Agon Elezin dhe Jorgo Pëllumbin, të cilët ishin një hap larg transferimit te Boavista dhe Shturm Grac. Por çështja e ndërlikuar që korçarët janë duke kaluar në këto ditë pas dënimit të lënë në fuqi nga Gjykata Federale ka frenuar edhe tratativat.
Si Elezi dhe Pëllumbi janë “ngrirë”, ndonëse ishin duke negociuar vetëm detajet e fundit për kalimin te klubet e reja. Gazeta mëson se mbrojtësi korçar është bashkuar prej dy ditësh me ekipin në Durrës, për të vijuar stërvitjen prej dy ditësh.
Nga ana tjetër shkupjani erdhi në Shqipëri vetëm për të takuar Ardjan Takajn pak ditë më parë dhe palët janë riakorduar që ai të vijojë përgatitjet në Maqedoninë e Veriut derisa të finalizohet transferimi. Frika për ndonjë dëmtim ndoshta ka bërë që palët ta ndërmarrin këtë hap.