Opinion nga ERVIN BAKU

Të enjten në mbrëmje, në Portugali, kampionët e Shqipërisë kanë dështuar turpshëm 2-4 me të parafundin e kampionatit danez, Silkeborgun. Një ndeshje, zyrtare, e vlefshme për “Kupën Atlantik 2013”. Them dështoi turpshëm, sepse kampionët e Shqipërisë kanë qenë në avantazhin e dy golave, por në fund fare të pjesës së parë dhe në pjesën e dytë është shfaqur, “befas”, ndërhyrja e “shkopit magjik”. Nga 2-1 për korçarët, ndeshja përfundon në 2-4. Korçarët janë shpërfytyruar. Janë bërë më shumë se qesharakë në fushë. Skuadra e dobët daneze nuk e kishte aspak të vështirë të shënonte dhe të përmbyste rezultatin. Shitje e pastër? Trukim? Paracaktim? Lënie? Lënie në emër të kujt? Tolerim? Tolerim në emër të kujt? Vëriani emrin si të doni të nderuar lexues. Ndeshja është transmetuar nga një kanal televiziv portugez. Ndërkohë nuk duhet harruar që jetojmë në epokën e internetit. Ndeshja është ndjekur direkt në internet nga një pjesë e mirë e tifozerisë korçare. E pra, mos i marrim njerëzit për budallenj: “hapja e portës” ishte evidente. “Ia bëntë mu”. Tifozeria korçare është tradhëtuar direkt. Një pjesë e tyre shfrynë në faqen e ultrasve në rrjetet sociale. Lëshuan edhe akuza ndaj drejtuesve për mënyrën e shëmtuar se si u sollën lojtarët në fushë gjatë pjesës së dytë të ndeshjes. Ja më thoni ju mua: si ta shpjegojmë këtë lëshim dhe shpërfytyrim të kampionëve në pjesën e dytë? Si ta shpjegojmë këtë sjellje të korçarëve përballë të parafundit të kampionatit danez? Të mbyllim sytë dhe të mos reagojmë? Shyqyr zotit ekzistojnë ende në treg dy gazeta sportive që evidentojnë dhe luftojnë këto fenomene. Personalisht, në emër të deontologjisë së profesionit, nuk mund, kurrë, të anashkaloj këtë fenomen të shëmtuar. Nuk kam frikë nga askush dhe nga asgjë. Nuk mund të tradhëtohet tifozeria jote në këtë farë feje. Në të gjitha rastet e golave të pësuar nga Skënderbeu, ka dyshime të forta për tolerim, lënie apo lëshim të mbrojtësve dhe portierit. Të gjithë ata që kanë ndjekur direkt ndeshjen gjykojnë se golat e danezve ishin të lënë nga korçarët. Po pse vallë korçarët t’ia kenë lënë danezëve? Ndeshjet e këtij turneu zyrtar dhe ndeshja Skënderbeu-Silkeborg janë kuotuar në kompanitë e basteve. Personalisht, dyshoj, fort, që kjo ndeshje është e shitur. Dyshimet shtohen nga fakti se ajo ka përfunduar 1/2, dhe dihet që koefiçenti në të tilla raste është shumë i lartë. Pra, në pjësën e parë ka fituar Skënderbeu dhe në pjësën e dytë është përmbysur gjithçka. Janë shënuar shumë gola. Kompanitë e basteve janë frikësuar dhe kanë ulur ndjeshëm koefiçentët për të mos u dëmtuar më shumë financiarisht. Mjafton të përmënd faktin se një nga kompanitë më të fuqishme aziatike të basteve “Sbo Bet“, kur kishin mbetur edhe vetëm 3 minuta lojë, e kishte 1.3 koefiçentin e shënimit edhe të një goli tjetër. Në kushtet normale të një ndëshjeje koefiçenti në të tilla raste do të ishte 4 e lart. Por agjentët e “Sbo Bet”-it nuk janë budallenj dhe e kanë ndjekur me vëmendje shpërfytyrimin e Skënderbeut në pjësën e dytë. 1/2, 4+, gol radhe, gol radhe, gol radhe. Ky është një zhargon që presidenti i Skënderbeut dhe shumë nga presidentët e klubeve shqiptare e njohin në majë të gishtave. Në një vend ku futbolli nuk prodhon absolutisht asgjë, kjo është mënyra e vetme, më fitinprurëse, për të mbajtur klubet e futbollit gjallë. Kjo është mënyra e vetme për të paguar rrogat e futbollistëve. Askush nuk është kundër basteve. Ato kanë ekzistuar edhe para shpikjes së futbollit. Trukimi, paracaktimi apo shitja e ndeshjeve tradhëtojnë deri në palcë tifozët e zjarrtë të këtij sporti magjik. Luajeni ndershëm zoterinj presidentë. Luajeni ndershëm zoterinj futbollistë.