Skënderbeu arriti të marrë një fitore dramatike dhe me shumë vlerë ditën e djeshme kundër Teutës, duke fituar me rezultatin 3-2. Megjithatë, përveç gëzimit të fitores, trajnerit Ilir Daja do i duhet të mendohet thellë për të gjetur një zgjidhje për mbrojtjen.
Artim Pollozhani mori dy të verdhë në ndeshjen e djeshme dhe automatikisht humbet atë të radhës kundër Vllaznisë në stadiumin “Loro Boriçi”.
Përveç kësaj një tjetër “hall” për Dajën do të jetë edhe mungesa e Eni Imamit. Ish-mbrojtësi i Tiranës në fundin e ndeshjes së djeshme mori kartonin e katërt të verdhë, që përkthehet me dënimin e një ndeshje pezullim.
Kështu, edhe një tjetër senator në mbrojtje nuk do të jetë në dispozicion, duke e bërë Skënderbeun të zbresë me mbrojtje të cunguar në “Loro Boriçi”. Përveç kësaj dysheje, prej kohësh nuk është pjesë e ekipit as senegalezi Ndeki.
Por pas çdo lajmi të keq ka edhe një lajm të mirë. Në këtë rast është rikthimi i Jashanicës, pas dy vitesh jashtë futbollit të luajtur. Mbrojtësi është dënuar për përdorim të substancave të paligjshme dhe e mbyll dënimin e tij para ndeshjes me Vllazninë. Megjithatë, ai ka kohë pa luajtur dhe mbetet në diskutim nëse Daja do vendosi ta hedhë në fushë, pavarësisht mungesave të shumta në repartin difensiv. /vipsport/