Nga Endri ÇINARI
Skënderbeu-Vllaznia do jetë dueli i javës së 21-të të Superiores që është parashikuar të luhet të dielën në qytetin e Korçës në orën 16:30. Dy ekipet që vijnë në formë dhe objektiva të kundërt do vihen përballë njëri-tjetrit. Me korçarët që duqn të dalin nga fundi i tabelës dhe tentojnë mbijetesën. E në krahun tjetër kuqeblutë që nuk kërkojnë të kompikojnë pozitat e tyre në top katërshen e kampionatit.
Por në Korçë të dielën do ketë një duel “ish-ësh” siç ndodh rëndomë në kampionatin tonë. Jo vetëm lojtarët në fushë, por edhe drejtuesit apo trajnerët në pankina kanë kontribuar për kundërshtarin në të shkuarën. Kështu tek Vllaznia janë 3 futbollistë që në karrierën e tyre kanë veshur fanellën e Skënderbeut. Duke nisur me dy mbrojtësit Bajrami dhe Beci e po ashtu edhe sulmuesi i ardhur së fundmi në rradhët e kuqebluve, Mensah.
Një tjetër ish i sfidës është edhe Tefik Osmani, drejtori sportiv i Vllaznisë. Me ish-mbrojtësin që kthehet në qytetin e tij të lindjes, ku bëri epokë në kampionat dhe Europë me Skënderbeun e viteve të arta. Edhe tek korçarët nuk mungojnë ata që kanë kontribuar në të shkuarën tek Vllaznia. Me një prej pikave të forta të formacionit korçar siç është Ardit Nikaj. Me sulmuesin që nuk ka luajtur me ekipin e parë të Vllaznisë, por që është një prodhim i akademisë kuqeblu.
Gjithashtu në stolin e “ujqërve” tashmë qëndron Ernest Gjoka. Me trajnerin kryeqytetas që në të shkuarën ka drejtuar edhe Vllazninë. Ku më saktësisht ishte në krye të stolit të shkodranëve në gjysmën e sezonit 2017-18. Edicion ku 9 herë kampionët e vendit u rrëzuan nga Kategoria Superiore për të përfunduar në Kategorinë e Parë./www.shkodrasport.com/