Ndeshjet e javës së 23-të të Superligës shqiptare, do të zhvillohen në mesjavë, pikërisht të mërkurën. Ditë kur do të luhet edhe ndeshja në mes ekipit të Vllaznisë dhe Skënderbeut, takim ky që do luhet në Korçë. Objektivi i Vllaznisë për të marrë pikë edhe në këtë ndeshje do jetë sërish prezent por kuptohet që do jetë e vështirë ndaj njërës prej skuadrave më të mira të kampionatit. Por nga ana tjetër, shkodranët kanë treguar këtë sezon se ndaj ekipeve më të mira nuk mund të humbasin kollaj. Ata kanë barazuar në Tiranë me bardheblutë, kanë mundur djemtë e detit në Durrës. Edhe ndaj korçarëve, shkodranët kanë arritur të barazojnë dy herë në ndeshjet e kupës. Në këtë mënyrë, na mbetet të presim se çfarë rezultati do dhurojë ky takim. Vllaznia ka si objektiv mbajtjen e vendit të gjashtë ku ndodhet aktualisht. Sot, Bylisi që e ka mbajtur këtë vend, ka barazuar 1-1 në Pogradec dhe në këtë mënyrë janë shkodranët ata që me golaverazh më të mirë, renditen të gjashtët. Golaverazhi i Vllaznisë është 31-27 ndërsa i Bylisit 34-32. Duke parë edhe kalendarin e ndeshjeve të mbetura deri në fund të sezonit, duket se kuqeblutë janë më të favorizuar për ta mbajtur vendin e gjashtë në renditje dhe pse jo për të pretenduar edhe të pestin sepse Kastrioti vetëm 4 pikë larg është.

www.shkodraport.com